
RUSI- Presidenti rus Vladimir Putin tha këtë të enjte se Perëndimi kishte humbur lidhjen me realitetin për luftën në Ukrainë. Sipas tij nëse udhëheqësit perëndimor kanë harruar se si të bëjnë kompromis, atëherë bota do të duhej të shihte se ku të çon një arrogancë e tillë.
Ky paralajmërim vjen në një kohë që Putin ka shtuar akuzat se Perëndimi po nxit konfliktin në Ukrainë.
“Bashkëbiseduesit tanë në Perëndim duket se kanë harruar plotësisht se ekzistojnë koncepte si vetëpërmbajtja e arsyeshme, kompromisi, gatishmëria për të hequr dorë prej një gjëje për të arritur një rezultat të pranueshëm për të gjithë. Ata janë padyshim të fiksuar pas vetëm një gjëje, të realizojnë interesat e tyre me çdo kusht. Nëse kjo është zgjedhja e tyre, le të shohim se çfarë do të vijë prej saj.
Gjatë fjalimit të tij, Putin njoftoi se Rusia ka realizuar me sukses provat me një raketë që funksionon me energji bërthamore, ndërsa paralajmëroi se vendi i tij mund të anulojë ratifikimin e traktatit për ndalimin e provave bërthamore, raporton VOA.
“Bëmë me sukses provën e fundit të raketës vetëlëvizëse me rreze globale Burevestnik, që ushqehet me energji bërthamore”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo është hera e parë që njoftohet dalja me sukses e provave për raketën Burevestnik, për të cilën presidenti rus pati folur për herë të parë në vitin 2018.
Mendohet se kjo lloj rakete mund të mbartë mbushje bërthamore apo konvencionale, se mund të qëndrojë në ajër më gjatë se raketat e tjera, dhe se mund të përshkojë distanca më të mëdha falë motorit të saj bërthamor.
Kur Putin bëri të ditur për herë të parë se Rusia po punonte për këtë raketë në fjalimin e tij në vitin 2018, ai pretendoi se raketa do të kishte një rreze të pakufizuar, duke i mundësuar asaj të qarkullonte mbi mbarë globin, e padiktuar nga sistemet e mbrojtjes ndaj raketave.
Gjatë fjalës së tij Putin vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar traktatin e vitit 1996 për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore, ndërsa Rusia e ka nënshkruar dhe ratifikuar atë.
I pyetur për ndryshime të mundshme në doktrinën ruse të armëve bërthamore, Putin u përgjigj se nuk shikon ndonjë arsye për këtë.
“Nuk ka ndonjë situatë ku diçka mund të rrezikojë pavarësinë dhe ekzistencën e shtetit rus”, tha ai. “Mendoj se asnjë person me mendje të kthjellët dhe kujtesë të qartë nuk do të kishte ndonjë ide për të përdorur armë bërthamore kundër Rusisë”./Zëri