
RUSI-Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Armëpushimi do të zgjasë nga mëngjesi i datës 8 maj deri më 11 maj, një periudhë që përkon me festimet për shënimin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, shkruan BBC.
Në një deklaratë thuhet se Putin e shpalli armëpushimin "bazuar në konsiderata humanitare". Ukraina nuk është përgjigjur ende. Një këshilltar i kreut të zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy u përgjigj duke thënë se "armëpushimi duhet të jetë i pakushtëzuar, sepse gjithçka tjetër janë vetëm lojëra taktike të Putinit".
Njoftimi i fundit vjen gjatë asaj që SHBA e ka përshkruar si një javë "shumë kritike" për bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë. SHBA është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje midis dy palëve, por administrata e Donald Trump ka kërcënuar se do të tërhiqet nëse nuk shohin përparim.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin jugor të Krimesë të aneksuar nga Moska në 2014. Vlerësohet se qindra mijëra njerëz shumica dërrmuese e tyre ushtarë - janë vrarë ose plagosur nga të gjitha anët që nga viti 2022./ZËRI