
SERBI- Prokuroria e Lartë e Beogradit ka ankimuar vendimin e Gjykatës për lirimin nga paraburgimi i Millan Radoiçiç-it. Sipas organit të akuzës, shkak për këtë është bërë rreziku se organizatori i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku mund të arratiset.
24 shtatori “nxehu gjakrat” mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit. Kosova akuzon Serbinë se fshihet pas sulmit ndërsa vetë Radoiçiç ka deklaruar se ka vepruar i vetëm dhe se institucionet e Serbisë nuk kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij.
Radoiçiç u arrestua më 3 tetor, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë. Megjithatë, ai u lirua një ditë më vonë pasi gjykatësi refuzoi ta paraburgoste.
Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai