Bota

Rreziku i konsumit të tepërt të anti-biotikëve, bakteret gjithmonë e më rezistentë

Rritja është dramatike në Ukrainë ku stafi mjekësor po përballet me fluksin më të madh të pacientëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

k.m.
Rreziku i konsumit të tepërt të anti-biotikëve, bakteret
Foto ilustruese

EUROPË- Mjekët në mbarë botën po përballen me një realitet të ri; po rritet numri i pacientëve që vdesin nga infeksione të rënda për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve. Rritja është dramatike në Ukrainë ku stafi mjekësor po përballet me fluksin më të madh të pacientëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 1.4 milionë njerëz në mbarë botën vdiqën nga infeksionet në vitin 2021 për shkak të rezistencës së krijuar ndaj antibiotikëve.

Rezistenca ndaj barnave antimikrobike (AMR) ndodh kur bakteret evoluojnë dhe mësojnë se si të mbrohen kundër antibiotikëve dhe barnave të tjera, duke i bërë ato joefektive. Një nga vendet ku fenomeni është i përhapur është Ukraina ku lufta duket se ka përshpejtuar përhapjen e patogjenëve shumërezistente.

Klinikat që merren me të lënduarit nga lufta kanë dëshmuar rritje të rasteve. Më shumë se 80% e të gjithë pacientëve të shtruar në Spitalin Feofania në Kiev kanë infeksione të shkaktuara nga bakteret që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Për ironi, infeksionet që janë rezistente ndaj barnave antimikrobike shpesh e kanë origjinën në veglat mjekësore. Për të parandaluar shtimin, personeli mjekësor po përpiqet të ndjekë protokolle strikte të higjienës dhe të përdorë pajisje mbrojtëse për të minimizuar përhapjen e këtyre infeksioneve, por kjo është e vështirë për shkak se vendi është në luftë dhe ka shumë të lënduar. 

Natyra e kësaj lufte do të thotë gjithashtu se pacientët janë të ekspozuar ndaj shumë më tepër llojeve të infeksionit sesa do të ishin në kohë paqeje. Në rastin e ushtarit Oleksandr Bezverkny, pakkush besonte se ai do të jetonte. 27-vjeçari kishte një plagë të rëndë në bark dhe në të pasme i kishin depërtuar copëza nga predhat, madje dhe dy këmbët i ishin prerë. Bezverkny u trajtua në tre spitale të ndryshme përpara se të mbërrinte në spitalin e Kievit. Duke qenë se infeksionet e tij nuk mund të trajtoheshin me mjekimin e zakonshëm, gjendja e tij u përkeqësua.

Me kaq shumë të lënduar, spitalet ukrainase thjesht nuk mund të përballojnë izolimin e pacientëve të infektuar, që do të thotë se bakteret shumë-rezistente dhe të rrezikshme po përhapen të pakontrolluara. Problemi është se infeksionet që ato shkaktojnë duhet të trajtohen me antibiotikë të veçantë nga lista "back-up". Por sa më shpesh t'i përshkruajnë mjekët këto ilaçe në receta, aq më shpejt përshtaten këto baktere duke i bërë të paefektshëm.

Në rastin e Bezberknit, mjekët duhej të përdornin antibiotikë shumë të shtrenjtë, të cilët vullnetarët i blinin nga jashtë vendit. Pas një viti në spital dhe mbasi kreu mbi 100 operacione, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Mjekët arritën t'i shpëtonin jetën. Por ndërsa mikroorganizmat patogjenë bëhen gjithnjë e më rezistentë, lufta për të shpëtuar të tjerët bëhet gjithnjë e më e vështirë./ZËRI

Marrë nga BBC

Poll

MOS HUMB