
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump pranoi këtë mëngjes se tarifat që ai vendosi dje ndaj disa vendeve "mund" të dëmtojnë amerikanët. Por, po ashtu u shpreh se do t'ia vlejnë çmimin.
“A do të ketë dhimbje për ne? Po, ndoshta (dhe ndoshta jo). Por ne do ta rikthejmë Amerikën në të gjithë madhështinë e saj dhe gjithçka do t'ia vlejë çmimin në fund fare,"-kështu shkroi Trump në "Truth Social", një ditë pasi u vendosën taksa të reja doganore ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës.
Përveç kësaj, Trump përsëriti këtë mëngjes propozimin e tij për ta bërë Kanadanë "shtetin e 51-të" të Shteteve të Bashkuara. Duke folur për "subvencionet" amerikane ndaj Kanadasë, republikani shkroi: Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i 51-të. Vetëm kjo do të sjellë tatime më të ulëta, mbrojtje ushtarake dhe heqje tarifash.

Në këto kushte, kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe presidentja meksikane Claudia Sheinbaum zhvilluan një bisedë telefonike. Sipas zyrës së Trudeau, udhëheqësit e dy vendeve do të punojnë së bashku në fushat me interes të përbashkët. Gjithashtu u zotuan edhe të përmirësojnë marrëdhëniet tashmë të forta dypalëshe midis Kanadasë dhe Meksikës.
Kjo ishte mënyra e tyre për t'ju kundërpërgjigjur Trump, i cili nënshkroi një urdhër ekzekutiv që autorizon tarifa drastike deri në 25% për eksportet e tyre në SHBA. E njëjta masë u mor edhe për Kinën, por Pekini zyrtar tha se do të paraqiste një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë./ZËRI