
BERLIN – Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar se Gjermania duhet të nisë dëbimin masiv të emigrantëve, që nuk kanë fituar azilin.
Scholz e ka komentuar disa herë këtë çështje, pasi edhe partia e tij ka pësuar rënie në sondazhet e fundit. Kancelari është deklaruar për këtë temë, në një intervistë për Der Spiegel, pasi opozita në Gjermani ka bërë thirrje që Scholz të formojë një koalicion qeveritar me konservatorët, për të trajtuar çështjen e emigrantëve.
Scholz tha se do të merret personalisht me këtë temë. Ai ka zhvilluar disa takime edhe me guvernatorët e landeve, rreth mënyrave sesi mund të kryhet më shpejt procesi i dëbimit të emigrantëve të paligjshëm.
Qeveria gjermane ka njoftuar Komisionin Europian, për kontrolle të përkohshme kufitare në kufijtë e saj me Poloninë, Çekinë dhe Zvicrën. Qendrat për emigrantë janë tejmbushur kohët e fundit, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë.
“Ne duhet të dëbojmë në një shkallë të madhe, personat që nuk kanë azil në Gjermani. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Është detyrë e jona që çështja e emigrimit të marrë zgjidhje. E rëndësishme është që politikat tona të mos udhëhiqen nga dashakeqësia. Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi të hapur dhe modernë”, ka thënë kancelari gjerman.
Shtetet e BE-së kanë rënë dakord javën e kaluar, për një draft final, të rregullave, sesi të menaxhohet emigracioni i parregullt./Zëri.ai/