
KOSOVË- Policia e Kosovës në Merdare, gjatë kontrollit në një autobus me targa të huaja, në valixhen e një pasagjeri ka hasur në disa pajisje të dyshuara ushtarake.
Në valixhe sipas njoftimit të Policisë u gjetën tri thika luftarake, dy radiolidhje-motorola, një çantë ushtarake, një jelek taktik, një palë doreza, një helmetë taktike, tri bateria, dy këllëf për revole, një imtim i predhës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inicuar rastin “import, eksport, furnizim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuara e armëve”, ndërsa pajisjet e dyshuara ushtarake janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës. Policia e Kosovës ka njoftuar ndër të tjera se i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Aksioni i Policisë së Kosovës ka ardhur vetëm një ditë pas alarmit të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili ka thënë se organizatori i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës, Millan Radoiçiç, aktualisht është duke planifikuar sulme të reja terroriste në Kosovë./ ZËRI