Bota

"Serbia solli trupat në kufi"/ Denoncimi i Kurtit "trazoi" Kosovën, Beogradi: Penguan kontrabandën me drunj

Në foto shihen ushtarët dhe mjetet e ushtrisë serbe që qëndrojnë pranë kufirit duke konsumuar cigare.

k.m.
"Serbia solli trupat në kufi"/ Denoncimi i Kurtit
Foto nga kufiri

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një deklaratë të fortë të shtunën mbrëma. Kurti, me anë të një postimi të bërë në rrjetet e tij sociale, në Facebook, shkruan se Serbia ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën. Madje ka shpërndarë edhe pamjet afër Komunës së Kamenicës. Në foto shihen ushtarët dhe mjetet e ushtrisë serbe që qëndrojnë pranë kufirit duke konsumuar cigare.

"Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë. Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë. Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës. Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës,"-shkruan Kurti në postimin e tij.

POSTIMI I PLOTË:

Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Kosovës. Në një komunikatë të lëshuar sot, autoritetet serbe pretendojnë se kryeministri i Kosovës po dezinformon. Sipas tyre, ushtarët kanë qenë duke patrulluar kufirin për kontrabandë. 

“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara. Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë,”- shkruhej në reagim.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra. Mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Një pjesë e mirë është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm. Dy vendet e kanë arritur marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit në dhjetor të vitit 2011. Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës. Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë. Po ashtu, NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe./ZËRI

Poll

MOS HUMB