
KOSOVË- Të dielën e 21 prillit, qytetarët e komunave veriore të Kosovës do ti drejtohen qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre pro ose kundër shkarkimit të kryebashkiakëve të zgjedhur, në procesin e kontenstuar dhe bojkotuar nga Beogradi zyrtar dhe serbët që jetojnë në këto komuna më 23 prill të vitit 2023. Teksa data afron Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në votim.
"Qëndrimi i Listës Serbe është që të mos shkohet në referendumin e ardhshëm, i cili do të vendosë për shkarkimin e katër kryetarëve jolegjitimë në veri të Kosovës, sepse Albin Kurti bëri gjithçka për ta bërë këtë, referendumi dështon. Qëndrimi jonë pasqyron qëndrimin e popullit serb në veri të Kosovës dhe nuk ka parë asnjë referendum që është mbajtur “me praninë e kamerave". Për dy muaj në të gjitha komunat numri i votuesve është rritur në mënyrë disproporcionale, për 433 për qind",-deklaroi para mediave kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, raporton politika.rs.
Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës. Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës. Peticioni ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023. Kjo parti kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar. Fillimisht ndërkombëtarët i njohën zgjedhjet ndërsa më vonë, pas intensifikimit të protestave të dhunshme bënë thirrje për përsëritjen e tyre./ZËRI