Bota

Shkencëtarët japonezë "shpikin" gjakun artificial

Hemoglobina vendoset në një "guaskë" mbrojtëse, duke krijuar kështu qeliza të kuqe artificiale të qëndrueshme dhe sterile.

k.m.
Shkencëtarët japonezë "shpikin" gjakun artificial
Foto ilustruese

JAPONI- Një zbulim shkencor nga Japonia sjell komunitetin mjekësor një hap më afër zgjidhjes së mungesës kronike të gjakut, veçanërisht të grupit O negativ, i cili konsiderohet një dhurues universal. Studiuesit e udhëhequr nga profesor Hiromi Sakai në Universitetin Mjekësor të Narës kanë zhvilluar një lloj të ri gjaku artificial që mund t'u jepet pacientëve pavarësisht nga grupi i gjakut.

Metoda bazohet në shfrytëzimin e hemoglobinës — proteinës që mbart oksigjen në qelizat e kuqe të gjakut. Hemoglobina vendoset në një "guaskë" mbrojtëse, duke krijuar kështu qeliza të kuqe artificiale të qëndrueshme dhe sterile.

Meqenëse këto qeliza artificiale nuk mbartin antigjene të grupit të gjakut, nuk kërkohet testim i përputhshmërisë.

Për më tepër, gjaku artificial mund të ruhet deri në dy vjet në temperaturë ambienti dhe deri në pesë vjet në frigorifer. Kjo është një kohëzgjatje shumë herë më e gjatë se sot, pasi qelizat e kuqe të gjakut, pra ato natyrale, ruhen vetëm për 42 ditë në frigorifer.

Provat e para filluan në vitin 2022 me pjesëmarrjen e burrave të shëndetshëm, të moshës 20 deri në 50 vjeç. Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe me nga katër persona dhe morën një dozë intravenoze të hemoglobinës artificiale, në sasi që rriteshin deri në 100 ml. Edhe pse u vunë re efekte anësore të lehta, nuk u zbuluan ndryshime alarmante në të dhënat jetësore, siç është presioni i gjakut. Këto gjetje pozitive e shtynë Sakain dhe ekipin e tij të përshpejtonin procesin. Marsin e kaluar, ata filluan t'u administronin vullnetarëve sasi më të mëdha, nga 100 deri në 400 ml.

Me kusht që provat të vazhdojnë pa efekte anësore serioze, faza tjetër do të përqendrohet në efektivitetin dhe sigurinë e metodës.

Ky përparim mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohen transfuzionet, pasi dhurimi i gjakut në raste urgjente dhe kujdesi shëndetësor në zonat ku qasja në gjak të sigurt mbetet e kufizuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB