Bota

I doli kundër për projektligjin/ Trump i drejtohet Muskut: Jam shumë i zhgënjyer! Manjati: Pa mua do i kishe humbur zgjedhjet

Trump ka shtuar se projektligji është i pabesueshëm dhe një “ulje e madhe taksash”, por po ashtu shtoi se ai do të preferonte që Musk që të kritikonte atë, sesa projektligjin.

k.m.
I doli kundër për projektligjin/ Trump i drejtohet Muskut: Jam
Elon Musk dhe Donald Trump

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump shprehu pakënaqësinë e tij me qëndrimin që mbajti manjati Elon Musk lidhur me “projektligjin e madh dhe të bukur”. Gjatë takimit në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Trump u pyet në lidhje me kritikat e Elon Musk për projektligjin. Në fjalën e tij, presidenti amerikan u përgjigj se gjithmonë e ka pëlqyer Musk dhe është habitur kur ka parë kritikat. Trump ka shtuar se projektligji është i pabesueshëm dhe një “ulje e madhe taksash”, por po ashtu shtoi se ai do të preferonte që Musk që të kritikonte atë, sesa projektligjin.

"Gjithmonë e kam dashur Elonin. I dëgjuat fjalët që tha për mua. Ai nuk tha asgjë të keqe për mua. Do të preferoja që ai të më kritikonte mua sesa ligjin, sepse ligji është i mrekullueshëm. Është ulja më e madhe (e shpenzimeve) që është bërë ndonjëherë në historinë e vendit tonë. Unë dhe Eloni kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk e di nëse do ta kemi përsëri. Elon Musk e dinte se si funksionon ky ligj, më mirë se pothuajse kushdo që është ulur këtu. Ai dinte gjithçka rreth tij. Ai nuk kishte problem asnjë problem me të derisa u largua nga detyra e tij. Papritmas tani ai ka një problem, dhe problemin e zhvilloi vetëm kur zbuloi se do të na duhet të ulim kërkesën për automjete elektrike, sepse bëhet fjalë për miliarda e miliarda dollarë. Dhe mund ta kuptoj këtë, por ai e dinte çdo aspekt të këtij ligji. Jam shumë i zhgënjyer nga Eloni. E ndihmova shumë,"- deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump ka zbuluar gjithashtu se Musk rekomandoi dikë që njeh për të drejtuar NASA-n, por Trump ka thënë se nuk mendonte se ishte alternativë e përshtatshme.

“Mund ta kuptoj pse është i mërzitur”.

Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi sulmet e tij të ashpra kundër miliarderit, duke pretenduar se ndryshimi i qëndrimit të Musk erdhi edhe për shkak të largimit të tij nga posti që kishte në administratë. Sipas Trump, shumë nga ish-bashkëpunëtorët e tij përfundojnë duke sulmuar administratën e tij sepse thjesht u mungon pushteti .

“Do të jem i sinqertë: mendoj se atij i mungon posti. Njerëzit largohen nga qeveria ime dhe na duan. Dhe në një moment, u mungon aq shumë sa disa  bëhen armiqësorë. E kemi parë me të tjerët. Ata largohen, zgjohen një mëngjes dhe shkëlqimi zhduket. E gjithë bota është ndryshe dhe ata bëhen armiqësorë. Nuk e di pse ndodh.”

Por edhe Musk nuk i la pa përgjigje deklaratat e Trump. Miliarderi Elon Musk foli gjithashtu, duke i mohuar fuqimisht pretendimet e Trump në rrjetin e tij social "X". Musk shkroi: False! Ky projektligj nuk më është treguar asnjëherë dhe u miratua në mes të natës aq shpejt sa pothuajse askush në Kongres nuk mundi as ta lexonte! 

Në një seri përgjigjesh në X, Elon Musk shtoi: Pa mua, Trump do të kishte humbur zgjedhjet, demokratët do të kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe republikanët do të ishin 51-49 në Senat.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe drejtori ekzekutiv i Tesla-s, miliarderi Elon Musk, u takuan gjashtë ditë më parë në Zyrën Ovale.

"Projektligji" zgjat shkurtimet e taksave që Trump prezantoi në vitin 2017 dhe rrit fondet për kufirin dhe mbrojtjen. Në të njëjtën kohë, ai shkurton shpenzimet për programet e sigurimeve shoqërore, të tilla si Medicaid dhe ndihma ushqimore. Ai u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve në maj dhe po shqyrtohet nga Senati, i cili pritet të bëjë përmirësime./ZËRI

Poll

MOS HUMB