Bota

Shokon ministri serb: Të gjithë do donin ta shikonin ushtrinë tonë në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se Serbia pranon çdo marrëveshje, por jo atë, ku të pranohet pavarësia e Kosovës ose që i jepet Kosovës një ulëse në OKB.

D.XH
Shokon ministri serb: Të gjithë do donin ta shikonin ushtrinë
Vucevic

BEOGRAD - Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha sot se bisedimet në Bruksel me përfaqësuesit evropianë për Kosovën ishin të vështira dhe të dhimbshme, por sipas tij, Serbia shmangu skenarin për të qenë fajtori apo faktori përçarës në këtë proces.

“Asgjë nuk është e bukur dhe e lehtë për ne, as nuk do të dëgjojmë ndonjë gjë tepër të bukur dhe të lehtë nga ato biseda. E mira është se Serbia e shmangu skenarin për të qenë fajtore, për të qenë një faktor përçarës, apo që të dëshirojë konflikte. Kjo sepse ai skenar ishte përgatitur me qëllim dashakeq ndaj Serbisë”, tha Vuçeviç për televizionin Happy.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të negociojë për të gjitha propozimet që jepen në tryezë, por se nuk pranon pavarësinë e Kosovës dhe as faktin që Kosova ta ketë një ulëse në OKB.

“Ne nuk pranojmë asnjë formë të njohjes de jure apo de facto të Kosovës si shtet i pavarur. Mund të flasim për gjëra të tjera, qoftë deklaratë doganore, letërnjoftime apo procedura të ngjashme. Gjithçka që nuk shpie në pavarësinë e Kosovës është për ne diçka që mund të jetë temë në tryezë”, tha ai.

Ministri serb vlerësoi se 90 për qind e qytetarëve do të donin të dëgjonin se Serbia refuzon gjithçka nga ai dialog dhe largohet prej tij.

“Të gjithë do të ishin të lumtur ta shihnin ushtrinë tonë në Kosovë, por ne duhet të dimë, duhet të kujtojmë, se jemi tërhequr nga Kosova në vitin 1999 në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 dhe se autoriteti ushtarak atje i është lënë KFOR-it”, tha Vuçeviç.

Ai vlerësoi se Kurti nuk ka ndërmend të formojë Asocacionin e Komunave Serbe dhe dëshiron që të ndryshojë propozimin fillestar.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilluan dje në Bruksel takime disa orëshe me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Georgia Meloni./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB