
UASHINGTON- Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe ekipi i tij kanë ndryshuar dukshëm tonin e tyre për luftën Izrael-Hamas ditët e fundit. Sfondi politik kaloi nga mbështetja e pakufizuar e Izraelit fillimisht, në atë se duhen mbrojtur civilët palestinezë.
Biden nuk e ka ndryshuar besimin e tij themelor se Izraeli ka të drejtën për të mbrojtur veten, pas sulmeve të 7 tetorit nga militantët e Hamasit, që vranë 1400 njerëz në Izraelin jugor.
Por një rritje e shpejtë e numrit të vdekjeve palestineze, vështirësia e lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një protestë gjithnjë e më e zëshme nga kombet arabe, aleatët evropianë dhe disa amerikanë, e kanë shtyrë ekipin e Biden të mbështesë çështjen humanitare në konflikt.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ndryshimi i tonit i Biden bazohej në faktet në terren në Gaza, në krizën humanitare që po përkeqësohet dhe bisedat e ekipit të Biden me vendet në mbarë botën.
Ka pasur debate në prapaskenë midis Biden dhe këshilltarëve të tij në lidhje me mesazhin e SHBA-së, për luftën në Lindjen e Mesme, tha një ish-zyrtar që është në kontakt me zyrtarët aktualë. "Ne kemi parë sesi gjërat kanë rrjedhur në luftë, pasi tashmë edhe palestinezët po pësojnë së tepërmi", tha ish-zyrtari.
“Administrata nuk kishte pritur që viktimat palestineze në konflikt të jenë 7000, thonë zyrtarët lokalë – ose që situata humanitare të përkeqësohej në mënyrë kaq dramatike”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.
"Unë mendoj se tonet kanë ndryshuar qartë. Kjo ka ndodhur, sepse është parë situata në terren. Gjithashtu, Biden mund të shikojë me kujdes, se situata po rrëshket në mënyrë të rrezikshme, pasi Izraeli pritet të hyjë nga toka në Gaza" tha Aaron David Miller, një ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme në Carnegie.
Biden, 80 vjeç, ka evoluar edhe për shkak të zërave të tjerë në lidhje me ‘luftën politike’ brenda SHBA-ve, kundërshtarët që kanë vënë në dukje se Uashingtoni nuk po mbron kauzën palestineze, si dhe paralajmërimit nga ish-presidenti Barack Obama, se veprimet e Izraelit mund të dështojnë.
Zyrtarët izraelitë dhe mbështetësit e tyre amerikanë kanë shprehur privatisht shqetësimin për Reuters se sa më shumë që kalon kohë nga mizoritë e 7 tetorit të kryera nga Hamasi, aq më shumë fokusi i botës do të jetë te vdekja dhe shkatërrimi nga sulmi izraelit në Gaza.
Ndihmësit e Bidenit po u bëjnë thirrje homologëve të tyre izraelitë që të marrin më shumë kohë për të menduar me kujdes strategjinë e tyre, përpara një pushtimi tokësor në shkallë të plotë, tha një burim amerikan.
Këshilltarët ushtarakë amerikanë të dërguar në rajon po u bëjnë thirrje homologëve izraelitë, që të jenë të kujdesshëm, sepse çdo forcë pushtuese do të përballet me terrene të vështira luftarake dhe tunele e ndërtesa, që mund të rrisin viktimat midis ushtarëve izraelitë dhe civilëve të Gazës.
PRESIONI I UDHËHEQËVE ARAB
Kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, Biden ofroi mbështetje të plotë për Izraelin, teksa ai i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij.
"Shtetet e Bashkuara do mbështesin Izraelin," tha Blinken. Ai nuk e përmendi fare ndihmën humanitare.
Gjatë udhëtimit gjashtë-ditor të Blinken, numri i të vdekurve në Gaza u rrit dhe kishte mjaft shqetësime për ushqimin dhe ujin. Çdo lider arab që takonte Blinken në rajon, i bëri presion që të gjente urgjentisht një zgjidhje për situatën e përkeqësuar në Gaza.
Blinken tregoi shqetësimet e liderëve arabë, ndërsa të tjerët folën drejtpërdrejt me presidentin e SHBA.
Protestat intensive kundër Izraelit pas një sulmi në një spital palestinez, për të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli fajësuan militantët palestinezë, alarmuan gjithashtu zyrtarët amerikanë.
Protestat ishin përkujtues të rreziqeve të përshkallëzimit gjatë çdo sulmi tokësor, thanë zyrtarët amerikanë.
Tashmë, kur viktimat në Gaza janë rritur ndjeshëm dhe zgjedhjet e 2024 janë afër, presidenti amerikan Joe Biden, po përpiqet të mbrojë edhe veten, por edhe të jetë më pranë asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/