Bota

Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës nga 26 në 22 vjet burg

Mustafa do të rrijë në paraburgim deri në kohën sa të përfundojnë të gjitha procedurat dhe do të dërgohet në shtetin ku do të vuajë dënimin.

f.t
Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës nga 26 në 22 vjet burg
Salih Mustafa

HAGË- Dhomat e Specializuara në Hagë sot shpallën vendimin e Apelit për rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës i dënuar me 26 vite burgim për krime lufte.  Paneli i Apelit ka vendosur që Mustafa të ulë dënimin e tij nga 26 deri në 22 vjet burgim.

“26 vjet burgim dhe një dënim të njësuar prej 22 vjetëve për zotëri Mustafën, duke e llogaritur kohën e kaluar në paraburgim”, ka thënë gjykatësja.

Ndërkohë Mustafa do të rrijë në paraburgim deri në kohën sa të përfundojnë të gjitha procedurat dhe do të dërgohet në shtetin ku do të vuajë dënimin. Ajo gjatë kësaj seance theksoi se në asnjë rast nuk janë duke u hetuar në tërësi UÇK-ja si organizatë dhe populli i Kosovës, por individët e caktuar të cilët kanë kryer krime.

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Gjykimi filloi më 15 shtator 2021. Më 4 shkurt 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli paraqitjen e provave të veta. Mbrojtësja e Viktimave paraqiti provat e veta më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja mbylli paraqitjen e provave të veta.

Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Ndërkohë trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve.

Ndërkohë ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020. Prokuroria e Posaçme, i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave. /ZËRI

Poll

MOS HUMB