
MITROVICË- Banorët në Mitrovicën e Veriut në Kosovë janë zgjuar këtë të dielë nga një shpërthim i fuqishëm. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Autoritetet bëjnë me dije se shpërthimi është regjistruar në "Lagjën e Boshnjakëve" ndërsa banorët shqiptarë atje ndihen të tronditur nga ngjarja.
Ende nuk dihet se kush fshihet pas shpërthimit dhe lloji i lëndës shpërthyese.Policia e Kosovës njoftoi se ka hapur një rast hetimi për dyshimet e shpërthimit të një granate dore në Mitrovicë të Veriut pak pas mesnatës.
“Njësitë kompetente policore kanë dalë në vend të ngjarjes. Policia, pas konsultimit me prokuror, ka hapur rastin shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ky është shpërthimi i dytë pas atyre të 19 nëntorit, ku u regjistruan dy shpërthime, por pa dëme. Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill./Zëri.ai