Bota

Shpërthimi në Zubin Potok, Osmani takim me QUINT dhe KFOR

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Redaksia Zëri
Shpërthimi në Zubin Potok, Osmani takim me QUINT dhe KFOR
vjosa osmani takim me quint

PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, njoftoi Presidenca.

Ajo e takoi edhe Enrico Barduanin, komandantin e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”.

Çfarë dihet deri më tani lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit?

“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftim.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë sulmin dhe “të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Shtetet e QUINT-it përbëhen nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në takim me Barduain e KFOR-it, Osmani tha se “sulmi terrorist” ndaj infrastrukturës vitale “dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit”. Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin. Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit, Kurti kishte deklaruar të premten vonë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e kryeqytetit, Prishtina, mund të mbeten pa ujë të pijshëm. Megjithatë, Qeveria të shtunën ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan. Më herët, KFOR-i e dënoi sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe tha se është e rëndësishme gjetja e fakteve dhe sjellja para drejtësisë e personave përgjegjës.

Misioni paqeruajtës tha se nga e premtja në mbrëmje, kur ndodhi sulmi, ka ofruar sigurinë përreth kanalit të ujit dhe zonave në afërsi, si dhe ka ndihmuar institucionet e Kosovës me logjistikë dhe mjete të tjera. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX. /REL

Poll

MOS HUMB