
BJELLORUSI- Bjellorusia po mban ditën e sotme zgjedhjet presidenciale, ndërsa presidenti Aleksandër Lukashenko kërkon një mandat të shtatë për të qeverisur. Për 30 vitet e fundit, Lukashenko, 70 vjeç, i quajtur nga shumë analistë si “diktatori i fundit i Evropës”, ka qeverisur vendin me një grusht të hekurt, duke shtypur të gjithë opozitën dhe zërat kundër tij.
Presidenti, i cili nuk është angazhuar në një fushatë elektorale gjatë garës, tha javën e kaluar, “të jem i sinqertë, nuk e ndjek atë. Unë thjesht nuk kam kohë për të.”
Pas zgjedhjeve të fundit në 2020, kur lideri u shpall fitues, shpërthyen protesta masive. Opozita dhe Perëndimi pretenduan se zgjedhjet ishin të vjedhura dhe kandidatja kryesore për Presidente, Sviatlana Tsikhanouskaya, u detyrua të largohej nga vendi. Tani, me kundërshtarët e tij politikë ose të burgosur ose të internuar, suksesi i Lukashenkos të dielën besohet gjerësisht se është i garantuar.
Kritikët e tij dhe aktivistët e të drejtave të njeriut i kanë quajtur tashmë zgjedhjet të manipuluara. Nga ana e tyre, eurodeputetët kanë kërkuar që rezultatet të mos njihen, veçanërisht pasi zgjedhjet e mëparshme në 2020 u pasuan nga një goditje e pamëshirshme e një lëvizjeje të paprecedentë proteste. Zgjedhjet fillimisht ishin planifikuar për në gusht, por u zhvendosën në dimër./ZËRI