
SPANJË- Përdorimi i aplikacionit "Telegram" në Spanjë do të pezullohet përkohësisht nga e hëna, e gjitha pas një kërkese të kompanive mediatike.
Urdhri u lëshua nga gjyqtari Santiago Pedraz i 'Audencia Nacional', një gjykatë e lartë që trajton çështje të ndjeshme. Kompanitë mediatike, duke përfshirë Atresmedia, EGEDA, Mediaset dhe Telefonica, u ankuan se Telegram po i lejonte përdoruesit të ngarkonin përmbajtjen e tyre pa leje.
Ndërsa pretendimet e tyre janë duke u hetuar, Pedraz pranoi të bllokonte shërbimet e Telegram në Spanjë. Deri më tani, mësohet se një kërkesë është dërguar për zyrtarët në "Virgin Island", atje ku Telegram është regjistruar, por deri tani nuk i janë përgjigjuar një kërkese të gjykatës nga korriku 2023.
Gjykata kërkonte informacione që të identifikonte se kush qëndronte pas llogarive në fjalë që ngarkonin përmbajtje në dukje pirate. Kështu që mungesa e bashkëpunimit nga "Virgin Island", e shtyu gjyqtarin e çështjes që të merrte masën paraprake.
Telegram është shërbimi i katërt më i përdorur i mesazheve në Spanjë, pra 19% e personave që kanë një telefon celular. Telegram pretendon se ka 700 milionë përdorues aktivë mujorë në të gjithë botën./ZËRI