MADRID- Spanja ka ndërmarrë një hap të fortë politik dhe ushtarak ndaj Shteteve të Bashkuara, duke mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë që lidhen me operacionet ushtarake kundër Iranit. Sipas El Pais, vendimi vjen pasi Madridi refuzoi përdorimin e bazave të përbashkëta ushtarake në Rota dhe Moron nga ana e SHBA-ve.
Sipas raportimeve, ndalimi i hapësirës ajrore nuk përfshin situatat emergjente, por detyron avionët ushtarakë amerikanë të devijojnë rrugët drejt Lindjes së Mesme.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj operacioneve ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, duke i cilësuar ato si të paligjshme dhe të rrezikshme.
“Ne jemi një vend sovran që nuk dëshiron të marrë pjesë në luftëra të paligjshme”, u shpreh ai.
Ambasada amerikane nuk ka reaguar ndaj këtij lajmi, por presidenti Donald Trump ka kërcënuar më herët me një embargo të plotë tregtare ndaj Spanjës për shkak të kundërshtimit të saj ndaj luftës me Iranin./ZËRI