
SPANJË- Numri i personave që u sulmuan seksualisht nga priftërinjtë në Spanjë kur ishin të mitur mund të kalojë 200,000. Kështu raportoi një komision i pavarur hetimor për krimet kundër fëmijëve brenda Kishës Katolike.
Raporti nuk jep numra të saktë, por i referohet një sondazhi të kryer me kërkesë të komisionit me më shumë se 8,000 njerëz, i cili zbuloi se 0.6% e popullsisë së rritur të Spanjës raportuan se ishin ngacmuar seksualisht nga një prift kur ishin të mitur. Zbulimet në Spanjë janë të fundit që tronditën Kishën Katolike pas një sërë skandalesh të abuzimit seksual në mbarë botën, shpesh duke përfshirë fëmijë, gjatë 20 viteve të fundit. Por ndryshe nga kombet e tjera, në Spanjë, një vend tradicionalisht katolik që është bërë shumë laik, akuzat për abuzimin e klerikëve po shtohen,
"Fatkeqësisht, për shumë vite ka pasur një dëshirë për të mohuar abuzimet ose një dëshirë për të fshehur ose mbrojtur abuzuesit,"-tha Angel Gabilondo, një ish-ministër arsimi.
Pak përpara se raporti të paraqitej në parlament, konferenca e peshkopëve spanjollë tha se do të mbante një mbledhje të jashtëzakonshme të hënën për të diskutuar gjetjet e raportit. Parlamenti i Spanjës në mars të vitit 2022 miratoi me shumicë dërrmuese krijimin e një komisioni të pavarur të udhëhequr nga ombudsmeni i vendit për të "hedhur dritë" mbi akuzat për abuzim seksual të "djemve dhe vajzave të pambrojtura" brenda Kishës Katolike.
Kisha Katolike e Spanjës, e cila për vite me radhë refuzoi të kryente hetim, nuk pranoi të merrte pjesë në hetimin e pavarur, megjithëse bashkëpunoi duke ofruar dokumente për rastet e abuzimit seksual që ishin mbledhur nga dioqezat ndër vite. Por teksa presioni politik u rrit, Kisha ngarkoi me përgjegjësi një firmë private ligjore në shkurt 2022.
Kisha spanjolle tha në qershor se kishte zbuluar 927 raste të abuzimit të fëmijëve përmes një procedure ankesash të nisur në vitin 2020. Por një hetim nga gazeta e përditshme më e shitur në vend, "El Pais", e cila filloi në vitin 2018, ka zbuluar që atëherë 2,206 viktima dhe 1,036 abuzues të dyshuar që datojnë që nga viti 1927. Një komision i ngjashëm në Francën arriti në përfundimin në vitin 2021 se rreth 216,000 fëmijë, kryesisht djem, ishin abuzuar seksualisht nga klerikët që nga viti 1950.
Në Gjermani, u zbuluan 3,677 raste abuzimi midis 1946 dhe 2014, ndërsa në Irlandë më shumë se 14,500 njerëz u kompensuan përmes një skeme qeveritare për ata që abuzoheshin në objektet e të miturve të drejtuar nga Kisha Katolike./Zëri.ai