Bota

“Specialja” thërret sërish Kurtin/ Vetëvendosje vendos kushte: Të vijnë në zyrën e kryeministrit!

Lajmin e ka konfirmuar për mediat e Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Kjo është ftesa e dytë që Prokuroria Speciale ka dërguar në zyrën e Kurtit.

k.m.
“Specialja” thërret sërish Kurtin/ Vetëvendosje
Albin Kurti

PRISHTINË- Prokuroria Speciale e ka ftuar sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit. Lajmin e ka konfirmuar për mediat e Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Kjo është ftesa e dytë që Prokuroria Speciale ka dërguar në zyrën e Kurtit. Por, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur kushte, duke theksuar se janë gati të presin prokurorët në zyrë, madje kanë përcaktuar edhe orare.

“Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri,”- ka thënë Kryeziu.

Në fillim të kësaj jave, kreu i qeverisë, Kurti nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, me arsyetimin se është jashtë vendit. Kurti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari. Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Asokohe, Hajdari tha se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje, ndërsa urti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”. Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur me heshtje para prokurorve.

Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme - si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave - por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.

Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit. Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB