SHBA- Takimi kokë më kokë i Donald Trump me Vladimir Putin do të zhvillohet në orën 9.30 të mbrëmjes së së premtes (me orën tonë). Sipas këshilltarit të Putinit, Yuri Ushakov, udhëheqësit amerikanë dhe rusë fillimisht do të takohen vetëm me praninë e përkthyesve, e askush tjetër nuk do të jetë në dhomë. Kjo sepse sipas Ushakov në takim "do të diskutohen çështje të ndjeshme".
Tema kryesore në axhendë do të jetë kriza në Ukrainë, por do të diskutohen edhe çështje tregtare dhe ekonomike.
"Diskutimi do të marrë parasysh atë që u tha në Kremlin më 6 gusht me pjesëmarrjen e këshilltarit të presidentit amerikan, Steven ëhitkov. Pas takimit, do të ketë deklarata të përbashkëta nga Putin dhe Trump që përmbledhin rezultatet e takimit të tyre,"- shtoi Ushakov.
Ai shpjegoi se pas takimit kokë më kokë të presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, do të ketë diskutime të delegacioneve të zgjeruara të të dy vendeve në formën e një mëngjesi pune, pa dhënë detaje se kush do të përbëjnë të dy delegacionet.
"Do të jetë në logjikën 5+5. Çdo delegacion do të përbëhet nga pesë persona, ndërsa grupet e ekspertëve do të jenë gjithashtu aty nëse do të duhen,"- shtoi ai. Ushakov e përshkroi si "simbolik" faktin që takimi Trump-Putin do të zhvillohet pranë vendit të varrimit të 9 pilotëve të epokës sovjetike, si dhe dy këmbësorëve dhe dy civilëve që vdiqën në vitet 1942-1945 ndërsa transportonin aeroplanë nga SHBA-ja në atëkohë, Bashkimin Sovjetik.
Këshilltari i Putinit u pyet gjithashtu për kohëzgjatjen e takimit.
"Kjo do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet. Ka çështje kohore, por kur do të përfundojnë ato varet kryesisht nga dy presidentët. Nëse jeni të shqetësuar nëse delegacioni rus do të kthehet në vend, po, mund të konfirmoj se delegacioni ynë do të largohet sapo të përfundojnë negociatat".
Në samitin në Alaskë do të marrë pjesë i dërguari special i Rusisë, Kirill Dmitriev, i cili drejton fondin shtetëror të investimeve të Rusisë. Nga pala ruse do të jenë të pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes Andrei./ZËRI