
GREQI- Të burgosurit nga të gjitha burgjet e vendit fqinj kanë nisur një grevë urie për realitetin e zymtë që mbizotëron në burgjet greke. Pjesë e grevës janë bërë edhe rreth 1589 të burgosur me origjinë shqiptare në burgjet greke. Shkak për këtë grevë është bërë një njoftim që ministria Greke e Drejtësisë ka nxjerrë lidhur me mënyrën e dhënies së lejeve dhe të lirimit me kusht për të burgosurit që mbahen në institucionet greke të riedukimit, shkruajnë mediat greke.
Sipas denoncimeve të vetë të burgosurve, rregullorja në fjalë është bërë enkas për të mbajtur brenda burgjeve disa prej terroristëve të organizatës famëkeqe “17 Nëntori” si dhe të dënuarit për organizatën kriminale të Agimit të Artë, rastet e përdhunuesve të të miturve ose vrasjeve të grave, por prek edhe të dënuarit e tjerë të cilët thonë se po penalizohen me të pa drejtë.
Ata theksojnë gjithashtu se Kodi i ri Penal parashikon të drejtën për të marrë pushim vetëm pak kohë përpara vendosjes së së drejtës së lirimit me kusht, e cila “rezulton në vështirësi të rënda në riintegrimin dhe risocializimin, ndërsa krijon probleme të mëdha me të burgosurit."
Në greve marrin pjesë të dënuar që mbahen në burgjet e Haniasë, Halkidhës, Korfuzit, Dhomokosë, Nafplios, Patrës, Neapolit dhe Larisës. Ministria greke e drejtësisë pranon se situata është e vështrirë dhe se po shqyrton rastet herë pas here me qëllim përjashtimin nga kjo qarkore të të dënuarve që vlerësohet se janë reabilituar ose nuk konsiderohen të rrezikshëm. Të burgosurit denoncojnë edhe raste në të cilat drejtues të burgjeve iu bëjnë presion për të ndërprerë grevën./ZËRI