
PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka sulmuar në rrjetet e saj sociale homologun e saj serb, Aleksandër Vuçiç. Në postimin e saj, Osmani e quan Vuçiçin "toger i Slobodan Millosheviçit, ndërsa shtoi se ai po përpiqet të zhbëjë gjithçka që është arritur nga Kosova, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në.
“Mbi 2 dekada pasi Millosheviçi shkatërroi Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, togeri i tij Vuçiç tani po përpiqet të zhbëjë gjithçka që kemi arritur së bashku me SHBA-në dhe BE-në, paqen, lirinë dhe bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme. Ne do të punojmë me aleatët tanë dhe nuk do të lejojmë që këto arritje të zhbëhen. Liria do të mbizotërojë!,”- ka shkruar presidentja Osmani.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe. Pritet që të dorëzohet dhe të merret nën hetim, ndërkohë vila e tij në Kosovë është kontrolluar për prova./Zëri.ai