
BANGKOK- Detaje të reja janë mësuar lidhur me vdekjen e 6 personave në një hotel luksoz "Grand Hyatt Erawan" në Bangkok. Dy nga viktimat, 56-vjeçari Serin Chong dhe 55-vjeçari Dang Hung Van ishin amerikanë, ndërsa katër të tjerët ishin vietnamezë. Në gotat e gjashtë viktimave janë gjetur gjurmë cianidi, ndërsa autoritetet vlerësojnë se helmimi është bërë nga njëri prej të vdekurve për shkak të borxheve që ai kishte.
Sipas BBC, dy nga gjashtë viktimat i kishin dhënë dhjetëra milionë baht (monedha tajlandeze/ 10 milionë baht janë rreth 280,000 dollarë) njërës prej viktimave të tjera për t'i investuar. Të afërmit e vietnamezëve dëshmuan se ata zotëronin një kompani ndërtimi dhe i kishin dhënë para Chong për të investuar në ndërtimin e një spitali në Japoni. Por mesa duket nuk i kishin marrë pas paratë e tyre.
Sipas Policisë, pasditen e të hënës, të gjithë ishin mbledhur në një dhomë në katin e pestë të hotelit.
Aty rreth orës 14:00, një punonjës hoteli shpërndau ushqimin dhe çajin që ishin porositur, të cilat i futi brenda në dhomë amerikani Chong.
Por edhe pse kamerieri që e dorëzoi çajin dhe u ofrua ta përgatiste për ta, Chong refuzoi. I marrë në pyetje për të mësuar më shumë detaje, kamarierri tha se 56-vjeçari ishte shumë i heshtur dhe i stresuar. Nga ora 14:03 deri në 14:17 të asaj pasdite, pesë persona të tjerë u futën në dhomë dhe nuk dolën më kurrë.
*Cianidi është një kimikat me veprim të shpejtë, potencialisht vdekjeprurës që ndërhyn në aftësinë e qelizave të trupit për të përdorur oksigjenin. Ekspozimi ndaj një sasie të madhe cianidi nga çdo rrugë (frymëmarrje, thithje përmes lëkurës, ngrënia ose pirja), mund të shkaktojë vdekjen e menjëhershme, por edhe efekte të tjera siç janë koma, vdekja, presioni i lartë ose i ulët i gjakut, humbja e vetëdijes, lëndimi i mushkërive, etj./ZËRI