Bota

Tragjedia me 59 viktima! Gjendja e të plagosurve stabël. HETIMI: Çfarë përmban blloku i pronarit të klubit të natës?

Dyshohet se ai ka shënuar në atë bllok të gjithë ata që i ka dhënë ryshfet ndër vite, për të pasur në funksion biznesin e tij.

F.I
Tragjedia me 59 viktima! Gjendja e të plagosurve stabël. HETIMI:
Klubi i natës ku ndodhi tragjedia

MAQEDONIA E VERIUT-Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia e ndodhur në Koçan, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 të tjerë u plagosën për shkak të flakëve që përfshinë klubin e natës Pulse. 

Mediat vendase shkruajnë se Prokuroria ka refuzuar të përgjigjet nëse në diskotekën “Pulse” ka pasur kamera sigurie natën e tragjedisë nëse apo jo. Prokuroria në përgjigje të mediave ka thënë se në këtë fazë të hetimeve, nuk do të ndajnë detaje të tilla. Raportohet se ka dyshime se kamera sigurie ka pasur një objekt që ndodhet në afërsi të diskos, i cili ka regjistruar hyrjen e të rinjve aty.

Pamjet e disa prej të pranishmëve të bëra me celular, të cilat u përhapën në rrjetet sociale, tregojnë se në minutat e para të shpërthimit të flakëve, dikush ngjitet mbi skenë me një fikës zjarri, por pa sukses. Mediat shkruajnë se ai është pronari informal i diskotekës, Dejan Jovanov Deko. Të paktën dy burime për të paktën dy media pohojnë se fikësi i zjarrit që Jovanov përdori në skenë ishte i papërshtatshëm, dhe se ishte i përshtatshëm për shuarjen e pajisjeve elektrike të ndezura dhe jo për një zjarr të këtyre përmasave.

Emisioni “Code” raportoi të dielën se edhe në Koçan ka spekulime për një bllok të pronarit të diskotekës. Dyshohet se ai ka shënuar në atë bllok të gjithë ata që i ka dhënë ryshfet ndër vite, për të pasur në funksion biznesin e tij.

Hetimi

Ndërkohë ende nuk dihet çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit në Shtip ndaj ankesave të Prokurorisë Publike të Koçanit lidhur me vendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit efektiv për dy ish-kryetarët e komunës së Koçanit Ratko Dimitrovski dhe Nikollço Iliev. Që të dy nga paraburgimi u dërguan në arrest shtëpiak. Përveç dy ish-kryetarëve të Komunës së Koçanit, në arrest shtëpie është lënë edhe ish-drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska. Gjithsej 34 persona dhe tre zyrtarë janë të dyshuar për tragjedinë në Koçan.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve

Pesë pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët u trajtuan jashtë vendit, janë kthyer në atdhe. Njëri prej tyre ka marrë trajtim në Greqi, ndërsa katër të tjerë në Spanjë.

“Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore pas marrjes së ndihmës mjekësore në këto dy shtete, për çka i shprehim falënderimet tona. Shtabi i Krizës i Ministrisë së Punëve të Jashtme vazhdon të koordinojë ndihmën për pacientët dhe përkrahjen për familjet e tyre,” ka deklaruar ministri Timço Mucunski.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se sipas protokollit mjekësor, pas një qëndrimi 24-orësh në klinikë dhe pas kryerjes së analizave toksikologjike, ata pritet të lirohen dhe të vazhdojnë trajtimin në shtëpi.

Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike. Deri më tani janë ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI

Poll

MOS HUMB