
MOSUL- Pamjet tronditëse nga tragjedia me dhjetëra të vdekur nga zjarri në një dasmë në Mosul të Irakut, janë publikuar nga Ministria e Brendshme e Irakut. Pamjet tregojnë momentin kur filloi zjarri dhe panikun që pasoi. Sipas asaj që u tha në një konferencë për shtyp në Bagdad nga kreu i komisionit, zjarri u përhap me shpejtësi nga pëlhurat dekorative si dhe nga materialet përreth llambadarit në tavan.
"Një nga shkaqet kryesore të zjarrit ishin fishekzjarrët,"- shtoi zyrtari irakian, duke njoftuar se numri i fundit i të vdekurve ishte 107.
Megjithatë, ai theksoi se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia dhe jo me qëllim.
'Edhe ne kemi vdekur'
Nusja dhe dhëndri, ceremonia e të cilëve përfundoi në tragjedi, janë të shkatërruar dhe nuk mund të jetojnë më në komunitetin e tyre. Revan, 27 vjeç dhe nusja Haneen, 18, ndihen "të vdekur përbrenda" pavarësisht se i mbijetuan zjarrit. Revan tha për Sky Neës se humbi 15 anëtarë të familjes së tij në zjarr, përfshirë edhe të atin. Ndërkohë shtoi se bashkëshortja e tij nuk fliste dot nga shoku. Ajo ka humbur nënën dhe vëllain e saj, ndërkohë në gjendje kritike është edhe i ati.
“Ne nuk mund të jetojmë më këtu. Dua të them, sa herë që përpiqemi të kemi pak lumturi, na ndodh diçka tragjike dhe e shkatërron lumturinë. Pra, është më mirë që ne të largohemi. Është e vërtetë që ne ulemi këtu përpara jush të gjallë. Por brenda ne jemi të vdekur. Ne jemi të mpirë. Ne jemi të vdekur brenda,”-tha dhëndri.
Dasma e së martës mbrëma kishte rreth 900 të ftuar. Ndërsa raportet fillestare për shkakun e zjarrit ishin fishekzjarrët e nisura për kërcimin e çiftit, Revan beson se zjarri filloi disi në tavan: Mund të ketë qenë një qark i shkurtër., Nuk e di. Por zjarri filloi nga tavani. Pastaj tavani filloi të shkrihej. U deshën vetëm sekonda./Zëri.ai