BRITANI E MADHE- Donald Trump duket se po e ashpërson qëndrimin e tij ndaj Moskës, duke e rishikuar afatin që i kishte dhënë Rusisë për të arritur një marrëveshje në Ukrainë. Dy javë pasi njoftoi se po i jepte palës ruse 50 ditë për të arritur një kompromis, presidenti amerikan është rikthyer me një deklaratë të re, duke e shkurtuar afatin kohor.
I pyetur se cili është afati i ri tani, nga një vizitë që po zhvillon në Britaninë e Madhe, Trump u përgjigj: 10 deri në 12 ditë nga sot.
Më parë, në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me luftën në Ukrainë, presidenti amerikan tha se kishte folur me Putinin shumë herë dhe të dy kishin arritur shumë afër një marrëveshjeje 5 herë.
"Kam folur me Presidentin Putin shumë herë, kemi shkuar shumë mirë", tha ai, duke shtuar se sjellja e udhëheqësit rus i kishte shkaktuar një zhgënjim të madh.
Por shtoi: Dhe pastaj papritmas ai del dhe fillon të hedhë raketa në qytete si Kievi, duke vrarë të moshuar në azile pleqsh ose këdo në rrugë, me trupa kudo.
Trump ka argumentuar vazhdimisht se mund t’i japë fund luftës në Ukrainë shpejt nëse rizgjidhet, por nuk ka paraqitur ndonjë plan specifik./ZËRI