
KIEV- Ukraina ka lajmëruar se do të punojë me Shtetet e Bashkuara për krijimin e një teksti të pranueshëm nga të dy vendet për të arritur një marrëveshje për mineralet. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha tha se raundi i parë i konsultimeve për një draft të ri të marrëveshjes për mineralet që do të siguronte një prani të fortë të biznesit amerikan në Ukrainë do të kontribuonte në infrastrukturën e sigurisë së vendit të tij.
“Ky proces do të vazhdojë dhe ne do të punojmë së bashku me kolegët tanë amerikanë për të arritur në një tekst të pranueshëm reciprokisht për nënshkrim”, tha Sybiha.
Deklarata erdhi pasi Presidenti i SHBA Donald Trump tha të dielën se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dëshiron të tërhiqet nga marrëveshja, duke paralajmëruar se udhëheqësi ukrainas do të përballet me probleme të mëdha nëse e bën këtë.
Uashingtoni i propozoi Kievit një marrëveshje të zgjeruar për mineralet pasi të dy palët dështuan të nënshkruan marrëveshjen kuadër gjatë vizitës së Zelensky në SHBA në fund të shkurtit./ZËRI