
SHBA- Melania dhe Ivanka Trump, pas një kohë të gjatë larg vëmendjes, morën pjesë në Konventën Kombëtare Republikane. Ato bënë një paraqitje të rrallë në mbështetje të kandidaturës së tretë të ish-presidentit Donald Trump për president.
Ish-zonja e parë dhe vajza më e madhe e ish-presidentit kanë qenë kryesisht larg nga fushata presidenciale këtë vit, një kontrast me fushatat e Trump në 2016 dhe 2020, kur të dyja luajtën një rol më të madh. Asnjëra prej tyre nuk mbajti fjalime.

Prania e Melania Trump ndihmon Partinë Republikane të tregojë unitet të gjerë, një temë që u shfaq dukshëm pas atentatit për vrasjen e Trump fundjavën e kaluar. Një ditë pas sulmit, Melania mbajti një deklaratë duke u bërë thirrje amerikanëve që të luftojnë urrejtjen dhe idetë që udhqejnë dhunën.
Kandidatët në çdo fushatë tregojnë bashkëshortët dhe familjet për t’i pikturuar ata si njerëz normal, por Melania Trump qëndroi larg bashkëshortit të saj dhe la të tjerët të mbajnë fjalimet. Një nga më tërheqësit ishte ai i mbesës 17-vjeçarë të Trump, Kai, e cila e quajti ish-presidentin një “gjysh normal”.

Familja e Trump, përveç Melanisë, hyri në arenë pasi Trump nënshkroi dokumentet duke pranuar zyrtarisht nominimin presidencial. Ata qëndruan pranë Trump gjatë fjalimit.
Ndërsa, Melania hyri më vonë, duke buzëqeshur dhe duke përshëndetur turmën teksa ecte e vetme në arenë dhe ngjiti shkallët për të zënë vendin e saj pranë kandidatit për zëvendëspresident JD Vance.
“Në këtë udhëtim, jam thellësisht i nderuar që më bashkohet gruaja ime e mrekullueshme, Melania. Melani, faleminderit shumë”, tha Trump gjatë fjalimit të tij.

Melania Trump më vonë iu bashkua bashkëshortit në skenë, duke e befasuar atë, teksa qëndroi pas tij pas fjalimit 93-minutësh, më pas i pëshpëriti diçka në vesh. Më pas Trump, iu bashkuan dhe disa nga pjesëtarët e tjerë të familjes.
Ndërsa familja qëndroi në skenë për 20 minuta, Melania Trump u shfaq në krah të ish-presidentit me një qëndrim të qetë, të dashur, duke prekur herë pas here krahun e burrit të saj, dhe ndonjëherë duke biseduar me Vance dhe gruan e tij, Usha Vance. /ZËRI/