
SHBA- FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve – përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland dhe Drejtorin e FBI-së Christopher Wray – janë duke informuar gazetarët lidhur me atentatin e dështuar ndaj Donald Trump. Agjenti special i FBI-së, Kevin Rojek tha se duket se "qitësi ka vepruar i vetëm" dhe se nuk ka shqetësime të vazhdueshme për sigurinë. Po ashtu, shtoi se deri tani nuk ka indikacione se Crooks vuante nga ndonjë problem i shëndetit mendor.
FBI aktualisht është e fokusuar në motivin që e shtyu Crooks të ndërmerrte aktin, veçanërisht përmes mediave të tij sociale.
“Nuk kemi parë asgjë kërcënuese. Por është ende shumë herët."
FBI po tenton të çkodojë në mënyrë që të ketë akses në telefonin e Crooks. Aktualisht, telefoni i tij është duke u dërguar në një laborator të FBI-së në Quantico, Virxhinia. Komunikimet e fundit nuk kanë zbuluar asgjë në lidhje me motivimet e tij apo një plan më të madh, gjë që shton edhe më tej misterin.
Arma, konfirmoi Rojek, ishte një pushkë e stilit AR e blerë legalisht nga i ati i Thomas Matthew Crooks, i cili u vra nga forcat speciale. Për momentin, megjithatë, nuk është e qartë nëse Crooks-it iu dha arma, apo nëse ai e mori atë pa lejen e babait të tij. Megjithatë raportohet se familja po bashkëpunon me hetuesit./ZËRI