
ATHINË- Një biznesmen grek është vrarë në Athinë. Kështu shkruajnë mediat helene. Një kufomë e djegur e qëlluar me armë zjarri është gjetur pak pas orës 19.00 në Mandra të Atikës. Viktimë është biznesmeni Christos Gialia, i cili ndër të tjera ishte aktiv edhe në tregtinë e mishit në zonën e Megarës.
Rreth makinës së djegur janë gjetur gëzhoja. Kanë qenë dy thirrje për policinë, të cilat kanë çuar efektivët, në vendin ku është gjetur trupi. Në thirrjen e parë raportohet për të shtëna, ndërsa në të dytën për zjarrvënie. Që atëherë ELAS ka nisur kërkimin për gjetjen e autorëve, që dyshohet se janë larguar me motor.
Automjeti i djegur është gjetur në rrugën e Agia Ekaterinit, ku zjarrfikësja ka nxituar për të shuar zjarrin. Nuk dihet ende nëse makina ka marrë flakë nga të shtënat apo autorët e vrasjes i kanë vënë flakën vetë makinës, për të mbuluar gjurmët. Policia ka gjetur një kallashnikov brenda mjetit të djegur. Bëhet me dije se në maj të vitit 2018 është vrarë ish-bashkëshortja e biznesmenit. Ish-bashkëshortja e vrarë quhej Freda Karzi dhe trupi i saj u gjet në shkallët e shtëpisë së saj në Mandra. Biznesmeni ishte martuar në kohën e vrasjes me një shqiptare dhe me të kishte 1 fëmijë.









Kristo Gialias ishte aktiv edhe në fushën e ngarkim-shkarkimit. Ai ishte pronar i kompanive të njohura ndërkombëtarisht, "FARMA KATERINA", "G&G", "G-EXPRESS", dhe "BELLA GRECO". Biznesmeni ka bërë tregti dhe me Shqipërinë.
Ai ka qenë me precendet të shumtë penale në të kaluarën, pasi i ishin gjetur armë zjarri. Mësohet gjithashtu se ky biznesmen ka qenë i përfshirë në të kaluarën, sipas autoriteteve, në trafikun e drogës. Ai kishte më tepër se 4000 punëtorë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Gjithashtu raportohet se Christos Gialias ishte marrë edhe me futboll në të kaluarën dhe kishte drejtuar ekipin e futbollit të Trikalas nga viti 2015 deri në vitin 2017. Në veçanti, ai ishte pronar i skuadrës së AO Trikala kur luante në kategori të ulëta profesionale, president i PAE Panelefsiniakos, ndërsa ishte edhe president i Mandraikos. Ai ishte gjithashtu një bashkëpunëtor i ngushtë i grupit Pietris./Zougla - ZËRI/