
JERUSALEM- Arkeologët kanë zbuluar një altar të humbur prej kohësh në vendin ku thuhet se Jezusi ishte varrosur dhe ringjallur. Zbulimi u bë kur punëtorët që kryenin disa punime gjetën një pllakë gjigante guri të mbuluar me mbishkrime që ishte mbështetur pas murit të Kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem.
Sipas mediave të huaja, guri, dy metra e gjysmë i gjatë dhe pesë metra i gjerë, ishte zbukuruar dhe shenja të dallueshme që i bëjnë studiuesit të besojnë se ishte altari i shenjtëruar në 1149. Altari mendohej se ishte shkatërruar në një zjarr në 1808.
"Për historianët, ky zbulim është diçka vërtet e rëndësishme,"- tha ekipi nga Akademia Austriake e Shkencave (OeAë) që bëri zbulimin.
Vendi i Kishës së Varrit të Shenjtë është identifikuar si vendi i kryqëzimit dhe varrosjes së Jezusit dhe pret rreth katër milionë vizitorë çdo vit.
Kisha, e cila tejkalon pothuajse 1645 metra në diametër, u ndërtua në majë të një tempulli romak kushtuar perëndeshës Afërditë në vitin 335 pas Krishtit. Ndërtimi u porosit nga perandori romak Konstandini I. Kisha e Varrit të Shenjtë u sulmua gjatë shekujve. Fillimisht, ajo u shkatërrua nga ushtria persiane në vitin 614, e më pas u dëmtua sërish në vitin 1009. Më pas, u përfshi sërish nga flakët gjatë viteve 1800, kur altari besohej se kishte humbur.
Dekorimet e pazakonta në anën e brendshme të murit i çuan studiuesit në të ashtuquajturën "Cosmatesque", pasi mbishkrimet në pjesën e përparme nuk jepnin asnjë aluzion për atë që fshihej. Tradita e krishterë thotë se trupi i Krishtit u vendos në një pllakë të prerë nga një shpellë gëlqerore pas kryqëzimit të tij nga romakët. Sipas Biblës, ai u ringjall 3 ditë pas vdekjes së tij./ZËRI