
KOSOVË-Policia e Kosovës ka zbuluar një “shtëpi bari” në zonën e Leposaviçit, teksa kultivuesi i bimëve narkotike është arrestuar në pikën kufitare të Jarinjës, në tentativë për t’u larguar nga vendi.
Forcat e rendit kishin marrë informacion për shtëpinë e kthyer në serë kanabisi në Granican dhe kur mbërriti në adresë zbuloi brenda saj një ambient të përshtatur për kultivimin dhe të paktën 23 bimë narkotike.
“Njësia DHTN Mitrovicë Veri nën asistimin e zyrtarëve policor nga DRP Mitrovicë Veri kemi bërë bastisjen së bashku me objektet përcjellëse të shtëpisë ku gjatë bastisjes në një dhomë të shtëpisë kemi gjetur dhe sekuestruar 23 bimë të mbjella të dyshuar të kanabisit me gjatësi nga 40 cm deri ne 1.85 cm , si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa,ventilim etj)”, ka bërë të ditur për Telegrafin, zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani.
Personi që kishte në pronësi banesën e përshtatur për kultivimin e kanabisit u arrestua nga policia në pikën kufitare në Jarinje teksa vijon puna për gjetjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./ZËRI