
KIEV- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka komentuar lajmin e vdekjes së Alexei Navalny. Teksa ndodhet në Gjermani, Zelenskyy tha se e ka të qartë se Vladimir Putin fshihet pas vdekjes së opozitarit rus. Duke folur në Gjermani, udhëheqësi ukrainas tha se presidentit rus nuk i intereson kush vdes për sa kohë që pozicioni i tij në krye të shtetit është i sigurt.
Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale. SHBA u shpreh e tronditur për lajmin, duke shtuar se pret që gjithçka të konfirmohet. Më 9 gusht 2023, një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar Aleksei Navalnyn, duke e dënuar 19 vite burg, me akuza, që kanë të bëjnë me ekstremizmin, për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit. Përpara këtij akt-gjykimi, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 9 vite burgim. Ai dhe avokatët e tij kishin deklaruar se akuzat ndaj liderit opozitar të Kremlinit janë të motivuara politikisht./ZËRI/