
TIRANË- Volodymyr Zelenskyy gjatë Samitit për Ukrainën të mbajtur në Tiranë, ka zhvilluar edhe një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pas takimit Zelenskyy ka bërë një reagim në rrjetin social “X”, ku shprehet se ka falënderuar Serbinë për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës si dhe për ndihmën e saj humanitare dhe mikpritjes se qytetarëve ukrainas të ikur nga lufta.
"Jam takuar me Presidentin @AVucic dhe falënderova Serbinë për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe ndihmën e saj humanitare dhe financiare dhe mirëpritjen e ukrainasve që ikën nga lufta. Vura re rëndësinë e pjesëmarrjes së Serbisë në zbatimin e Formulës së Paqes. Ne koordinuam kontakte të mëtejshme me synimin për të zgjeruar mbështetjen globale për Formulën. Unë e informova presidentin Vuçiç për situatën aktuale në vijën e frontit. Ne diskutuam gjithashtu sfidat e sigurisë dhe politike në Evropën Lindore,"-shkruan presidenti ukrainas.
Kujtojmë se Serbia është i vetmi vend në Rajon dhe Evropë , që nuk ka pranuar t’i vendosë sanksione Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës. /ZËRI