Bota

Zelenskyy 'zbarkon' në Madrid, zbulohet arsyeja

Sipas gazetës El Pais, marrëveshja që do të nënshkruhet sot do të përfshijë ndihmën ushtarake nga Madridi në vlerën 1.1 miliardë euro, duke përfshirë furnizimin me raketa të reja Patriot dhe tanke Leopard.

E.K
Zelenskyy 'zbarkon' në Madrid, zbulohet arsyeja
Volodymyr Zelenskyy dhe Pedro Sanchez

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbërriti këtë të hënë në Madrid për një vizitë zyrtare, e cila do të shënohet me nënshkrimin e një marrëveshjeje që synon rritjen e ndihmës ushtarake të Madridit për Kievin. Sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni publik spanjoll, Zelenskyy u përshëndet në pistën e aeroportit të Madridit nga Mbreti Felipe VI.

Presidenti ukrainas, i cili ka ushtruar presion ndaj aleatëve të tij për të rritur ndihmën e tyre për t'iu kundërvënë ofensivës ruse, do të takohet me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në Pallatin Moncloa, selia e qeverisë dhe rezidenca e kryeministrit, për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe të sigurisë.

Sanchez tha javën e kaluar se "sapo të lejojë situata në front", Spanja do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën "e cila do të forcojë bashkëpunimin" midis dy vendeve. Zelenskyy fillimisht ishte planifikuar të vizitonte Spanjën më 17 maj, por u detyrua të anulojë vizitën e tij për shkak të ofensivës së re të nisur disa ditë më parë nga ushtria ruse në Ukrainën verilindore.

Sipas gazetës El Pais, marrëveshja që do të nënshkruhet sot do të përfshijë ndihmën ushtarake nga Madridi në vlerën 1.1 miliardë euro, duke përfshirë furnizimin me raketa të reja Patriot dhe tanke Leopard. Zelenskyy tashmë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe sigurie me disa vende, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndihma ushtarake e Madridit për Kievin deri më tani ka qenë e kufizuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB