
KOSOVË-Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nga Partia për Veprim Demokratik fitoi shumicën e votave në zgjedhjet lokale në Preshevë. Ajo shpalli fitoren mbrëmjen e së dielës ndërsa falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen.
“Subjekti ynë politik mori 4078 vota. Kjo fitore përveçse është rritje për subjektin tonë politik, krahasuar me numrin në rënie të votuesve, për ne është shumëfish më e madhe, pasi kemi dominuar në të gjitha bastionet," deklaroi Sinani.
Ajo e cilësoi procesin zgjedhor shumë të rëndësishëm, ndërsa theksoi se për katër vitet e ardhshme do të qeverisë me maturi dhe përgjegjësi.
Ndërkohë ish-kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi njoftoi se në Bujanoc fitues i zgjedhjeve është kandidati i partisë Alternativa për Ndryshim, Arbër Pajaziti. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pajaziti ka falënderuar qytetarët e Bujanocit për besimin e dhënë. Ai po ashtu theksoi se kjo fitore i obligon që të krijojnë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc.
“Falënderime plot 3,371 herë për të gjithë ju që votuat ‘Frontin për Ndryshim’, që besuat në këtë rrugë e cila shpie drejt një të ardhme më të mirë. Faleminderit për 10.800 shqiptarë të komunës së Bujanocit që votuan për njërën nga 4 listat tona si motra në këto zgjedhje. Faleminderit ju që përshkuat me mijëra kilometra nga vende të ndryshme të Evropës për të dhënë votën në atdheun tuaj. Bashkëvendës që punoni përkohësisht në Kosovë, faleminderit për mundin e treguar”, shkroi Pajaziti në Facebook.
Presheva ka rreth 43500 votues të cilët kanë votuar në 37 qendra të vendvotimit për 39 mandate. Në Bujanoc kanë pasur të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët kanë votuar në 59 vendvotime për 41 mandate.
Të dielën u votua në 88 qytete dhe komuna të Serbisë, ndërsa u rivotua në Beograd. Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç shpalli fitoren në Beograd dhe gati në të gjitha qytetet e tjera. Zgjedhjet në kryeqytetin serb u përsëritën sepse s’kishte fitues të qartë në ato të 17 dhjetorit 2023, por opozita akuzoi për parregullsi. /ZËRI