Politikë

Çfarë po hamë? Raporti i KE thirrje Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë: Kontrolloni ushqimet, luftoni korrupsionin, mungojnë laboratorë

Raporti thekson se mungojnë ende elemente të nevojshme për garantimin e besueshmërisë së analizave ushqimore dhe kërkohet të forcohen kontrollet për produktet që hyjnë në Shqipëri.

F.I
Çfarë po hamë? Raporti i KE thirrje Autoritetit Kombëtar
DOKUMENTI

TIRANË-Komisioni Europian publikoi raportin 2026 për Shqipërinë, ku një sërë mangësish evidentohen edhe për kontrollet ushqimore, funksionimin e institucioneve përgjegjëse, monitorimin e pesticideve dhe kapacitetet laboratorike. Shqetësimet e Komisionit vijë në një periudhë, ku raportimet për bllokimin e produkteve ushqimore në Shqipëri me pesticide, salmonelë e baktere janë shtuar.  

Në raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, Komisioni Europian kërkon reforma institucionale, përfshirë bashkimin e dy institucioneve Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Raporti thekson se mungojnë ende elemente të nevojshme për garantimin e besueshmërisë së analizave ushqimore. Gjithashtu kërkohet të forcohen kontrollet nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për produktet që hyjnë në Shqipëri.

"Nevojiten reforma institucionale, veçanërisht bashkimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB). Për më tepër, duhet të bëhet më i qartë ndarja e detyrave të inspektimit mes AKU-së dhe Inspektoratit të Përgjithshëm. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për përmirësimin e statistikave të inspektimeve, menaxhimit të të dhënave dhe transparencës.

Shqipëria duhet të përmirësojë zbatimin dhe garantimin e respektimit të legjislacionit për kontrollet zyrtare, duke përfshirë vënien në dispozicion të burimeve të mjaftueshme administrative dhe financiare, si dhe përgatitjen dhe miratimin e një plani veprimi për përafrimin e kontrolleve zyrtare me kërkesat e BE-së. Laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar në përputhje me parimet e rregullores për kontrollet zyrtare. Për rrjetin e laboratorëve zyrtarë, ende duhet të vendosen metoda të validuara kontrolli, të cilat garantojnë besueshmërinë e rezultateve për speciet dhe kategoritë përkatëse të produkteve. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për rritjen e kapaciteteve, akreditimin dhe validimin e metodave laboratorike. Gjithashtu, duhet të forcohen kontrollet kufitare dhe pikat aktive të kontrollit kufitar duhet të përafrohen me kërkesat e BE-së përpara anëtarësimit,"-thuhet në raport.

Çfarë po hamë? Raporti i KE thirrje Autoritetit Kombëtar

Më tej Raporti i BE-së ngre shqetësime për rrezikun e korrupsionit në kontrollet veterinare dhe fitosanitare. Komisioni ngre shqetësimin edhe për certifikatat, ku të cilat duhet të lëshohen në mënyrë të rregullt dhe të paanshme.

"Në luftën kundër korrupsionit, Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit synon të garantojë llogaridhënien dhe qeverisjen etike. Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien, veçanërisht në inspektimet fitosanitare dhe veterinare. Duhet të forcohen masat për parandalimin e rreziqeve të korrupsionit dhe garantimin e integritetit të proceseve të inspektimit dhe certifikimit,"-nënvizon raporti.

MOS HUMB