Aktualitet

Copëza xhami në pudingun “Arla”, AKU ngre ALARMIN: Bllokohen 3 ton në Shqipëri, mos e konsumoni!

Alarmi ka mbërritur deri në Shqipëri, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se pas verifikimeve është konstatuar se në vendin tonë janë importuar gjithsej 4,608 kilogramë të këtij produkti.

zh.ll
Copëza xhami në pudingun “Arla”, AKU ngre ALARMIN:
foto ilustruese

TIRANË- Një tjetër alarm për sigurinë ushqimore ka prekur vendin tonë. Këtë herë, alarmi vjen nga Danimarka, ku autoritetet atje kanë njoftuar tërheqjen e e një produkti ushqimor që përdoret nga personat që ndjekin një regjim të pasur me proteina. Bëhet fjalë për pudingun proteinik të markës “Arla”, me origjinë nga Danimarka, ku janë konstatuar prani të copëzave të xhamit.

Rasti është përfshirë edhe në sistemin europian të alarmit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF), përmes të cilit vendet anëtare njoftojnë njëri-tjetrin për rreziqet që lidhen me produktet ushqimore.

Copëza xhami në pudingun “Arla”, AKU ngre ALARMIN:
alarmi ne RASFF

Alarmi ka mbërritur deri në Shqipëri, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se pas verifikimeve është konstatuar se në vendin tonë janë importuar gjithsej 4,608 kilogramë të këtij produkti. Sipas AKU, janë verifikuar 2926.4 kg. (rreth 3 ton) të cilat janë bllokuar në subjekt, ndërsa pjesa tjetër prej 1697 kg janë shitur përpara marrjes së njoftimit nga sistemi RASFF.

"Pas verifikimeve nga AKU u konstatua se: Në total nga subjekti janë importuar 4608 kg, nga të cilat sasi gjendje janë verifukuar 2926.4 kg. të cilat janë bllokuar në subjekt, ndërsa pjesa tjetër prej 1697 kg janë shitur përpara marrjes së njoftimit nga sistemi RASFF. Për sasinë e produktit të bllokuar, subjektit i lihet detyrë të marrë masa për kthimin e produktit në vendin e origjinës ose të kryejë asgjësimin e tij konform legjislacionit në fuqi", thuhet në njoftimin e AKU-së.                                                                                                           

AKU i bën thirrje konsumatorëve, që nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë pranë pikave të shitjes.

Fillimisht, problemi u evidentua në Danimarkë, pas ankesave të disa konsumatorëve, të cilët raportuan praninë e mundshme të copëzave të xhamit në produkt. Pas ankesave të konsumatorëve, autoritetet aktivizuan alarmin dhe njoftuan tërheqjen e produktit nga tregu.

"Për shkak të një defekti në fabrikën e mbushjes së shisheve, ekziston rreziku i fragmenteve të vogla të qelqit në produkt. Fragmentet e vogla të qelqit përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin pasi mund të shkaktojnë dëmtime në gojë, fyt dhe traktin gastrointestinal", thuhet në njoftimin e autoriteteve daneze. 

Ndërkohë, paralajmërimi nuk përfshin të gjitha produktet e markës Arla, por vetëm tre lote të veçanta:

Arla Protein Pudding me çokollatë – Batch ES26244001, me afat skadence 07.04.2027.

Arla Protein Pudding me karamel – Batch ES26272001, me afat skadence 26.04.2027.

Arla Protein Pudding me karamel – Batch ES26287001, me afat skadence 08.05.2027.

Alarmi ka prekur vendi të ndryshme, mes tyre Shqipërinë, ndërsa thirrje e autoriteteve është e njëjtë: Kujdes, të kontrollohet produkti dhe të mos konsumohet pudingu nëse i përket serive të prekura./ZËRI

MOS HUMB