KORÇË- Çmimi i bukës në qytetin e Korçë ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke arritur deri në 150 lekë për një bukë masive.
Qytetarët shprehen se deri pak ditë më parë buka tregtohej me rreth 120 lekë, ndërsa aktualisht çmimi varion nga 140 deri në 150 lekë, në varësi të furrës dhe llojit të produktit.
Nga ana tjetër pronarët e disa furrave në qytet konfirmojnë rritjen e çmimit, duke theksuar se ajo ka ardhur si pasojë e shtimit të shpenzimeve operative. Sipas tyre, edhe pse çmimi i miellit nuk ka pësuar ndryshime të fundit, janë rritur kostot e tjera, si energjia elektrike, transporti dhe pagat e punonjësve.
Në qytetet e tjera në vend, çmimi i bukës masive në furra varion kryesisht nga 100-120 lekë. Një fenomen i vërejtur është edhe rritja e çmimit bashkë me zvogëlimin e peshës (psh. bukë me peshë reale më të ulët se ajo që shkruhet në etiketë)./ZËRI