
TIRANË – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku janë konstatuar disa shkelje.
KLSH, në raportin e saj, konstaton se sistemi elektronik i tatimeve, e-Taxation, është në një gjendje kritike. Po ashtu, KLSH thotë se ndërlidhja që ka e-Taxation me sisteme të tjera, mund të cënojë këto të fundit.
Auditi thekson se të dhënat e e-Taxation nevojiten edhe për sistemin e Fiskalizimit, në fund të çdo dite. Kjo nënkupton, se në mungesë të të dhënave nga e-Taxation, funksionimi i rregullt i Fiskalizimit, është cënuar.
Kështu, mbeten të cënuara të dhëna të tilla si subjektet e reja, ndryshimet e bëra për statusin e aktivitetit, ndryshimet e punonjësve, niveli i taksimit, si dhe kalimi automatik i librave të shitjes dhe blerjes.
“Nga auditimi u konstatua se pajisjet fizike të sistemit e-Taxation janë në një situatë tejet kritike, një sistem ky shumë i rëndësishëm për DPT, nisur nga veprimet operacionale që kryhen aty si nga ana e biznesit, administratës tatimore, ashtu dhe nga institucionet e tjera me të cilat janë ndërtuar ndërveprime me të dhëna të këtij sistemi”, thuhet në raport.
KLSH shprehet se megjithëse gjatë auditimit, në terren, është hapur procedura për mirëmbajtjen e sistemit e-Taxation, ndërprerja nuk mund të sigurohet. Kjo ndodh, sepse sistemet informatike, nuk mund të jenë funksionale, në rast se pajisjet, janë ne ezaurim, të hapësirës që disponojnë. Auditi nënvizon se sistemet operojnë jashtë suportit teknik, që do të thotë se nuk janë të sigurt.
Në auditin e KLSH, vlerësohet se mundësia për ndërprerjen dhe pamundësia për ta vënë në funksion, në një kohë të shkurtër sistemin e-Taxation, është shumë e lartë. Duke qenë në këto kushte, KLSH thekson se AKSHI dhe Tatimet duhet të marrin masa për të përmirësuar situatën.
‘DPT ka planifikuar një fond për të cilin AKSHI shprehet se nuk është i mjaftueshëm, por në kushtet kur DPT nuk i disponon më asetet rrjedhimisht planifikimi i fondeve për rinovim duhet të plotësohet nga administratori dhe poseduesi i këtyre aseteve që është AKSHI”, thuhet mes tjerash në raport./Zëri.ai/