
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje në auditin e bërë në kompaninë "Albpetrol". Në raportin, me më shumë se 400 faqe KLSH ka zbuluar një skemë, e cila dëshmon se si Albpetrol ul në mënyrë fiktive çmimin me të cilin u shet naftë rafinerive vendase që e përpunojnë materialin e nxjerrë nga nëntoka. Sipas KLSH, "Albpetrol" u njeh dhe u zbret nga çmimi kompanive blerëse edhe shpenzimet e transportit të naftës për eksport, por në fakt, nafta nuk del jashtë vendit, përkundrazi përpunohet në rafineritë private të Fierit dhe të Cërrikut.
“Çdo vit, Albpetrol siguron rreth 100-120 mijë tonë naftë nga prodhimi i puseve të tij, apo nga nafta që u merr kompanive koncesionare, të cilat shfrytëzojnë burimet e naftës së vendit. Këtë sasi Albpetrol e shet çdo vit me ankand sipas një çmimi dysheme të paracaktuar nga ekspertët e tij. Në procedurat e ankandeve të shitjes së naftës u konstatua se grupi i ekspertëve, për përcaktimin e çmimit/njësi minimal fillestar të shitjes së naftës bruto ka bërë ulje shpenzimesh nga çmimi i shitjes së përcaktuar të ankandit, duke presupozuar shpenzime për vënien e produktit në kushtet FOB sipas kushteve të Bursës Ndërkombëtare për hidrokarburet,”-thotë KLSH.
PËRFITUESIT
Sipas "GazetaSI", KLSH ka kontrolluar tre ankande të kryera nga Albpetrol.
"Shitja e parë është ajo e sasisë 40 mijë tonë, që është fituar nga bashkimi i Operatorëve Ekonomikë R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, dhe Al Global Oil. Kompania e parë zotëron një rafineri në Cërrik, ndërsa Al Global Oil është pronarja e Uzinës së Bitumit në Fier. Sipas KLSH-së në këtë ankand, vlera e shpenzimeve jo të kryera, por të zbritura nga Albpetrol në çmim ishte 3.55 dollarë për fuçi, duke arritur gjithsej në shumën 859 mijë dollarë. Ankandi i dytë është zhvilluar po në prill 2021, por këtë herë me sasinë 100 mijë tonë naftë. Në këtë ankand u shpall fituese kompania Europetrol Durrës Albania, e cila ofroi çmimin 73.3 për qind e Brent minus 3.6 dollarë për barrelë. Zbritja e çmimit me 3.6 dollarë për fuçi është abuzim pasi këto shpenzime janë fiktive duke shkaktuar një dëm total në buxhetin publik prej 2.3 milionë dollarësh. Procedura e tretë është ajo e shitjes së 120 mijë tonë naftë në prill të vitit 2022. Edhe në këtë procedurë është shpallur fitues bashkimi i operatorëve mes Europetrol Durrës dhe R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, të cilat ofruan çmimin 75.33 për qind e Brent minus 3.36 dollarë për barrelë."
Në total, për vetëm tre ankande të kontrolluara janë abuzuar padrejtësisht 5.8 milionë dollarë, para të cilat duhet të ishin arkëtuar në buxhetin e kompanisë "Albpetrol", por që u janë zbritur si shpenzime fiktive kompanive private. Lidhur me situatën aktuale të kompanisë, KLSH vlerëson se ende nuk është hartuar dhe miratuar plani i cili përmban objektivat strategjike, prioritetet e institucionit dhe planet e veprimit. Një tjetër gjetje shqetësuese është fakti që nuk ka politika dhe praktika që të garantojnë ruajtjen, ngritjen dhe zhvillimin profesionale të stafit.
*Albpetrol është një kompani shqiptare e prodhimit dhe marketingut në rrjedhën e sipërme të naftës, e cila monitoron gjithashtu marrëveshjet shtetërore të naftës në Shqipëri . Aksionet e saj janë në pronësi të shtetit shqiptar. Albpetrol po administron më shumë se 1200 puse nafte në vendbanimet ekzistuese Patos, Ballsh, Karbunarë, Kuçovë, Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Amonicë.