
TIRANË- Që prej kohës së pandemisë së koronavirusit, nuk ka ndodhur një mbledhje online. Por sot për shkak të trazirave që shkaktoi opozita, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave u mblodh në "Zoom". Ministri i Ekonomisë Ervin Mete po prezanton projektbuxhetin e vitit 2024. Mbledhja u shty fillimisht dhe më pas u lajmërua se do të zhvillohet online. Kjo pas bllokimit që deputetët e Partisë Demokratike bllokuan këtë të mërkurë punimet.
Eduard Shalsi: Si rezultat i një skene jo parimore por dhe të shëmtuar që disa deputetë të opozitës bënë sot. Vendimi është ky, nuk kemi ndërmend të merremi me hallet e një individi, ne kemi një përgjegjësi të madhe para atyre që na kanë votuar.
Ervin Mete: P.buxheti synon një rritje ekonomike të qëndrueshme. Ky buxhet për herë të parë tejkalon 7 miliardë euro shpenzime të planifikuara dhe parashikon uljen e borxhit publik. Ekonomia jonë shfaqet si një nga ekonomitë më të qëndrueshme të rajonit. Parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8 %. Sa i përket inflacionit ai ka qëndruar në nivele të ulëta, 4.1%, i përgjysmuar nga një vit më parë. P.buxheti vijon mbështetjen për një rritje domëthënëse pagash. Parashikon rritjen e pagave për mjekët, forcat e rendit… Kjo kap vlerën e 39 miliardë lekëve. Ambicia e qeverisë e shprehur në P.buxhet është që këtë qëndrueshmeri të ekonomisë ta përkthejmë në mirëqenie për qytetarët dhe ndër pagat më të larta në rajon. Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një paketë fiskale. Në këtë aspekt do të punohet së bashku me FMN. Një ndër masat kufizuese që është konsideruar e nevojshme është vendosja e kufirit të sipërm sa i përket indeksimit të akcizës. Stimulimi i sektorit bujqësor dhe blegtoral. Shpenzimet buxhetore parashikojnë rritjen e pagave për administratën publike. Niveli i fondit rezervë parashikohet në masën 2.5 miliardë lekë. Defiçiti buxhetor parashikohet në 2.5 % të PBB. Pritet që të kemi një zbritje të borxhit nën nivelin 60% që ndodh për herë të parë pas vitit 2011.
Fillimisht projektbuxheti duhet të diskutohej në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në Komisionin e Ekonomisë.
Pas këtij vendimi nga maxhoranca, ka reaguar dhe Partia Demokratike. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat selia blu shprehet se këto mbledhje mund të bëhen online vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.
"Pas bllokimit që deputetët e opozitës i kanë bërë punimeve të Kuvendit sot, deputetët e PS kanë njoftuar shtyrjen e mbledhjes dhe zhvillimin e saj online. Sipas nenit a/5 të Rregullores së Kuvendit vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore, mbledhjet e seancës plenare dhe organeve të Kuvendit mund të zhvillohen edhe në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Nuk dihet nëse PS ka shpallur gjendjen e luftës apo të jashtëzakonshme, por kjo procedurë e mbledhjeve online lejohet vetëm në ato raste", shkruan PD.
Çfarë ndodhi sot?
Ashtu siç dhe kishin lajmëruar më parë deputetët e Partisë Demokratike bllokuan këtë të mërkurë punimet normale të Kuvendit ku pritej të diskutohej projektbuxheti i vitit 2023.
Fillimisht u bllokua mbledhja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku do të raportonte ministri Ervin Mete. Demokratët, në shenjë revolte për përjashtimin e kolegëve të tyre nuk lejuan vijueshmërinë normale të punimeve. Si rrallë herë në Kryesinë e Kuvendit ishte dhe kryedemokrati Sali Berisha.
Pas kësaj, me në krye Gazment Bardhin si kryetar grupi deputetët e PD i "zunë pritë" Lindita Nikollës duke mos lejuar nisjen e punë së Konferencës së Kryetarëve. Pas tensioneve dhe përplasjave, mbledhjet u anuluan ndërsa opozita paralajmëroi se as seanca e nesërme plenare nuk do jetë e qetë, duke lënë të kuptohej se do të ketë dhe për skenarë të rinj përpos bllokimit të foltores./Zëri.ai