Ekonomi

Pronat: Çmimet rriten, por shitësit janë më të gatshëm për të negociuar

Megjithatë, Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) vlerëson se rritja e çmimeve që raporton Banka e Shqipërisë është e mbivlerësuar dhe i detyrohet kryesisht faktit që përgjigjet e vrojtimit janë marrë nga firmat e ndërtimit, më shumë se nga agjentët imobiliarë, që veprojnë kryesisht në tregun e rishitjes.

F.m
Pronat: Çmimet rriten, por shitësit janë më të
Prona

TIRANË- Shitësit e pronave kanë qenë më të prirur për të negociuar çmimet e tyre gjatë vitit të kaluar. Nga rezultatet e Vrojtimit mbi Ecurinë e Tregut të Pasurive të Paluajtshme, publikuar nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024 vërehet se është ulur ndjeshëm pesha e transaksioneve ku çmimi i blerjes së pronës për shitjet e kryera është i njëjtë me çmimin e kërkuar nga shitësi.

Sipas Bankës Qendrore, kjo reflekton një fuqi më të madhe negociuese të blerësit në tërësi. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, 72% e agjentëve kanë realizuar shitje me çmim më të ulët nga çmimi i kërkuar prej tyre, nga përkatësisht 64% dhe 40% në gjashtëmujorin e kaluar dhe gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.

Pjesa më e madhe e tyre (rreth 37%) kanë raportuar se kanë realizuar shitje me një çmim midis 5% deri në 20% më të ulët nga çmimi fillestar i kërkuar. Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar vërehet gjithashtu se është rritur pesha e transaksioneve të realizuara me një çmim deri në 5% më të ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi, në 31% nga 18%.

Me rritjen e ndjeshme të çmimeve të pronave gjatë viteve të fundit, marzhet e shitësve janë më të mëdha dhe kjo mund të shpjegojë një gatishmëri më të lartë për të negociuar nga ana e tyre.

Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.

Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u rrit me 26.2% ndaj periudhës paraardhëse dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë.

Megjithatë, Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) vlerëson se rritja e çmimeve që raporton Banka e Shqipërisë është e mbivlerësuar dhe i detyrohet kryesisht faktit që përgjigjet e vrojtimit janë marrë nga firmat e ndërtimit, më shumë se nga agjentët imobiliarë, që veprojnë kryesisht në tregun e rishitjes.

Sidoqoftë, sipas vrojtimit, vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut ishte disi më pozitiv në krahasim me 6-mujorin e parë. Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën (gjashtëmujorin) e mëparshme?”, balanca neto e përgjigjeve ishte pozitive për rreth 5%, me përgjigje veçanërisht optimiste për zonën e qyteteve bregdetare, ku vlera e balancës ishte dukshëm më pozitive sesa mesatarja afatgjatë.

I njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje rezultoi ndjeshëm më pozitiv gjatë periudhës, me një balancë neto rreth 17%.

Balanca e treguesit të numrit të banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka rënë lehtë ndaj periudhës paraardhëse. Balanca neto e atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre ishte -5%.

Nga ana tjetër, numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.3 muaj nga 10.5 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 7.1 nga 9.7 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit, duke u kthyer në vlerat e një viti më parë, në 10 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte pak më e ulët sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke rënë në 11.6 nga 12.9 muaj.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 72% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Marrë nga Monitor

Poll

MOS HUMB