Ekonomi

Turistët e huaj sollën 5 mld euro, rekord dhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë

Ky është rekordi i të ardhurave i regjistruar ndonjëherë në vend dhe shumë më i lartë sesa përpara pandemisë, kur në 2019-n, prurjet e të huajve ishin rreth 2 miliardë euro.

Redaksia Zëri
Turistët e huaj sollën 5 mld euro, rekord dhe shpenzimet e
Foto ilustruese

TIRANË- Çdo vit që kalon Shqipëria po shënon një rekord të ri sa i përket turizmit. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë për bilancin e pagesave bënë të ditur se shpenzimet e udhëtimit nga të huajt në Shqipëri arritën një nivel 4.99 miliardë euro, me një rritje prej 19.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është rekordi i të ardhurave i regjistruar ndonjëherë në vend dhe shumë më i lartë sesa përpara pandemisë, kur në 2019-n, prurjet e të huajve ishin rreth 2 miliardë euro. Sipas tremujorëve, fluksi më i lartë ishte në tremujorin e tretë, me 1.9 miliardë euro, që përkon me kulmin e sezonit turistik. Për herë të parë dhe gjatë tremujorit të dytë dhe të katërt flukset ishin mbi 1 miliard euro (1.16 dhe 1.13), duke treguar për një shtrirje të turizmit përtej sezonit tradicional.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në vend në 2024-n në vend hynë një rekord prej 11.7 milionë shtetasish të huaj, me rritje 15.2% me bazë vjetore.

Megjithatë, muajt e parë të këtij viti po japin shenja për një ngadalësim të rritjes së turizmit në vend.

Turistët e huaj sollën 5 mld euro, rekord dhe shpenzimet e

Edhe shqiptarët shpenzime rekord jashtë

Ndërsa të huajt po zbulojnë Shqipërinë, shqiptarët po udhëtojnë gjithnjë e më shumë jashtë, të nxitur dhe nga biletat e lira dhe shtimi i destinacioneve direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin 2.7 miliardë euro, me rritje prej 15.6% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në 2024-n, daljet e shqiptarëve jashtë arritën në gati 7.9 milionë me rritje 14% me bazë vjetore.

Bilanci pozitiv prej 2.3 miliardë eurosh

Ndryshe nga mëse një dekadë më parë, kur bilanci i turizmit ishte afër zeros, me të huajt në Shqipëri që shpenzonin gati sa shqiptarët jashtë, vitet e fundit situate është përmbysur, si rrjedhojë e fluksit të lartë të të huajve që po vijnë në vend. Në 2024-n, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv prej 2.3 miliardë eurosh, me rritje gati 25% me bazë vjetore./Monitor

Poll

MOS HUMB