
GJENEVË- Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) konfirmoi sot rekordin më të lartë të temperaturës prej 48.8°C, e matur më 11 gusht 2021 në Siçili, pas një protokolli të gjatë ekzaminimi të të dhënave dhe mjeteve matëse. Rekordi i mëparshëm ishte 48.0°C i regjistruar në Greqi më 10 korrik 1977 në Athinë dhe Eleusis.
Ky rekord, megjithëse i njohur nga WMO, nuk ishte verifikuar në mënyrë të pavarur nga organizata. WMO konfirmoi rekordin e ri duke përdorurtë gjitha instrumentet matëse dhe kushtet në të cilat është regjistruar, gjë që shpjegon pse rekordi i ri u vërtetua dy vjet e gjysmë më vonë.
"Një vlerësim i tillë i kujdesshëm na jep besim se të dhënat e temperaturës globale po maten saktë,"-tha gjeografi amerikan Randall Cerveny, raportues i klimës dhe motit ekstrem për WMO. Cerveny është profesor i shkencave gjeografike në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe themeloi arkivin e organizatës në vitin 2007.
“Për më tepër, ky hulumtim tregon trendin shqetësues të temperaturave të vazhdueshme rekord të larta në rajone të caktuara të botës,”- tha ai.
Rezultatet e hulumtimit, të kryera nga një ekip shkencëtarësh, u publikuan në revistën shkencore International Journal of Climatology. Paneli i ekspertëve të WMO po kryen hetime të mëtejshme, për të parë nëse cikloni tropikal Freddy theu rekordin për ciklonin tropikal më jetëgjatë. Freddy u formua në fillim të shkurtit 2023 në brigjet e Australisë, shkaktoi dy herë shkatërrime masive në Afrikën Jugore./ZËRI