
TIRANË- Qeveria ka nxjerrë për herë të parë për këtë vit tre zona të reja minerare për shprehje interesi nga ana e bizneseve që duan të angazhohen në këtë aktivitet.
Bëhet fjalë për zona minerare në pjesë të ndryshme të vendit nga Tirana në Vlorë e Berat dhe kryesisht flasim për materialet e ndërtimit. Por cilat janë në fakt zonat e përfshira në këtë shpallje për të cilat bizneset duhet të dorëzojnë ofertat deri më 4 shtator 2024.
E para është zona minerare Nr. 122/2, Objekti “Pashkashesh”, Tiranë, qarku Tiranë, lloji i mineralit gur gëlqeror për veprimtarinë shfrytëzim. Rezervat në ton në këtë zonë llogariten në 2,115,000 ton/m3. Sasia minimale e prodhimit vjetor duhet të jetë 10 mijë m3 ndërsa vlera minimale e investimit vjetor 150 mijë euro.
Një tjetër zonë është ajo Nr. 552/8, Objekti “Mali i Sherishtes”, Selenicë në qarku Vlorë ku lloji i mineralit është gur gëlqeror dhe veprimtaria shfrytëzim. Rezervar në këtë zonë llogariten në 3.8 milionë ton/m3. Edhe në këtë rast sasia minimale e prodhimit vjetor duhet të jetë 10 mijë m3 ndërsa vlera minimale e investimit vjetor 150 mijë euro.
Zona e tretë minerare e nxjerrë për interes është ajo Nr. 154/3, Objekti “Radesh – Gradec”, Skrapar, Qarku Berat, lloji i mineralit gur dekorativ, veprimtaria shfrytëzim.
Rezervat në ton llogariten në 1,350,000 ton/m3. Sasia minimale e prodhimit, ton ose m3/vit është jo më pak se 1000 m3 ndërsa vlera minimale e investimit për prodhimin vjetor minimal në 200 mijë euro.
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të vitit 2023 aktiviteti minerar në vend ishte i shpërndarë në disa qindra leje qoftë në minerale metale edhe në materiale ndërtimi.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës në vitin 2023 ishin aktive 552 leje shfrytëzimi kryesisht të lokalizuara në Bulqizë, Krujë, Berat, Tiranë apo Librazhd. Përveç kromit që mban pjesën më të madhe të lejeve aktive, në vendin e dytë sipas publikimit të AKBN është guri gëlqeror më 137 leje./Monitor