FIER-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës në IEVP Fier.
Lidhur me këtë, reagoi vetë kryebashkiaku, i cili e cilëson transferimin si 'rrëmbim policor'. Në një deklaratë publike, Veliaj pretendon se transferimi është kryer pa u njohur me aktin dhe arsyet ligjore, pavarësisht kërkesës së tij dhe të avokatit. Kryebashkiaku shprehet se nuk e ka dhënë pëlqimin e tij për transferimin dhe i kërkon publikisht Avokatit të Popullit që të ndërhyjë urgjentisht për të verifikuar arsyet dhe shkaqet.
Deklarata e plotë e Veliajt:
Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.
Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.
Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.
I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.
Veliaj qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI