Factcheck

DRITËHIJET E SHPRONËSIMIT/ Çfarë fshihet pas planit për ndërtimin e ullishtes në Palasë dhe krahasimi me Zvërnecin

Pse në Palasë shpronësimi u pa si zgjidhja e menjëhershme, ndërsa në Zvërnec, edhe pas 100 ditësh protestash, një mundësi e tillë nuk u mor në konsideratë?

Fjola Graçi
DRITËHIJET E SHPRONËSIMIT/ Çfarë fshihet pas planit
Vasil Bedinaj dhe Luan Muça

Prej 100 ditësh, mijëra të rinj kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Për 100 ditë protestash, presioni publik dhe vëmendjeje mediatike, një zgjidhje nuk u artikulua: shpronësimi i tokës së Artur Shehut.

Por mjaftoi një konflikt i armatosur në Palasë që qëndrimi i qeverisë të ndryshonte me shpejtësi.

Në më pak se 24 orë pas përplasjes, Edi Rama njoftoi se toka do të shpronësohej dhe se në atë sipërfaqe do të ndërtohej një park ullinjsh.

Një vendim i shpejtë. Një zgjidhje e jashtëzakonshme. Por edhe një pyetje:

Pse në Palasë shpronësimi u pa si zgjidhja e menjëhershme, ndërsa në Zvërnec, edhe pas 100 ditësh protestash, një mundësi e tillë nuk u mor në konsideratë?Por, përpara se të kërkojmë përgjigjen, duhet të kthehemi te historia e tokës në Palasë.

Si mbërritëm deri këtu?
Menjëherë pas lirimit nga masa e arrestit, të cilën po e ekzekutonte në spitalin e Vlorës, biznesmeni Luan Muça doli publikisht me versionin e tij për konfliktin e armatosur në Palasë.

Përtej skenës së përplasjes mes dy biznesmenëve, e cila u shfaq para opinionit publik si një episod kaubojsash, me armë, grushte dhe burra të veshur me të zeza”, deklaratat e Muçës nxjerrin në pah një çështje shumë më të rëndësishme: historinë e pronës mbi të cilën kishte nisur konflikti.

Sipas Muçës, ai kishte blerë 97 mijë metra katrorë tokë në Palasë nga pronarë vendas. Në vitin 2021, ai kishte marrë statusin e investitorit strategjik për të gjithë sipërfaqen, ndërsa më pas, në vitin 2024, kishte marrë lejen për ndërtimin e një hoteli ndërkombëtar.

Pra, sipas versionit të tij, Muça nuk ishte thjesht një person që pretendonte pronësinë mbi tokën. Ai kishte kaluar nëpër procedura institucionale dhe kishte marrë vendime administrative që i hapnin rrugën zhvillimit të projektit.

Por duket se në të njëjtën kohë, një tjetër biznesmen, Bedinaj, kishte ndjekur një tjetër rrugë institucionale mbi të njëjtën zonë. Edhe ai kishte një plan për ndërtim, të cilin e kishte bërë publik përmes rrjeteve sociale.

Dhe pikërisht këtu nis përplasja. Episodin e fundit të së cilës e pamë të gjithë: një konflikt i armatosur.

Si përfundoi kjo tokë e shitur dy herë dhe me dy pronarë?
Cila është ecuria ligjore e kësaj pasurie?
Kush e ka regjistruar tokën?

Kur ka nisur procesi i regjistrimit të kësaj pasurie?

A ka pasur fillimisht shteti shqiptar pronësi mbi disa pjesë të kësaj toke?

Nëse po, si kanë ndryshuar më pas titujt e pronësisë?

Dhe mbi të gjitha: si është e mundur që mbi të njëjtën sipërfaqe të ketë nisur një zinxhir procedurash administrative dhe lejesh, ndërkohë që pronësia është kthyer në objekt konflikti mes dy palëve?

Këto nuk janë thjesht pyetje për dy biznesmenët. Agjencia Shtetërore e Kadastrës është institucioni që administron regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Vetë ASHK-ja deklaron zyrtarisht se është institucion publik në varësi të Kryeministrit.

Në anën tjetër është Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, struktura që kanë rol në miratimin e zhvillimeve territoriale dhe projekteve komplekse.

Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, organi që vendos për lejet e projekteve komplekse, investimeve strategjike dhe zhvillimeve me rëndësi kombëtare. Sipas faqes zyrtare të planifikimit të territorit, KKTU-ja është autoriteti përgjegjës për lejet e zhvillimit dhe ndërtimit për projektet komplekse dhe investimet strategjike.

Ndërsa ligji nr. 107/2014 përcakton se ky këshill funksionon pranë Këshillit të Ministrave dhe kryesohet nga Kryeministri.

Nëse rezulton se mbi një pasuri të tillë janë krijuar tituj të dyfishtë, dokumente kontradiktore apo është kryer ndonjë falsifikim, pyetja nuk mund të kufizohet vetëm te individët që pretendojnë pronësinë.

Kush ka përgjegjësi institucionale?

Kush e ka regjistruar?

Kush e ka verifikuar?

Kush ka dhënë lejet?

Dhe si është e mundur që një konflikt i tillë të arrijë deri në pikën e një përplasjeje të armatosur?

Pse pikërisht shpronësimi?

Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme që lind nga vendimi i Kryeministrit. Në një rast ku ekziston një konflikt pronësie dhe ku institucionet duhet të hetojnë se si është krijuar kjo situatë, qeveria zgjedh një rrugë tjetër: shpronësimin e tokës dhe kthimin e saj në një park ullinjsh.

Por përse?

Nëse arsyeja është interesi publik, atëherë duhet shpjeguar qartë cili është ky interes publik dhe pse ai është shfaqur pikërisht pas konfliktit të armatosur.

Nëse arsyeja është garantimi i rendit dhe shmangia e një konflikti të mëtejshëm, sërish lind pyetja: pse një konflikt pronësie duhet të zgjidhet përmes shpronësimit dhe jo përmes hetimit dhe vendimmarrjes gjyqësore? Mos vallë po shkojmë drejt një shteti ku vendimin për pronën nuk e japin më gjykatat, por zyra e Kryeministrit?

Për këtë ekziston një precedent që e bën këtë vendim edhe më të dyshimtë.

Kryeministri Edi Rama nuk e ka parë të udhës të shpronësojë Artur Shehun, pavarësisht se çështja e tokës në Zvërnec ka prodhuar një debat të jashtëzakonshëm publik. Madje, në këtë rast, akuzat e bëra publike kanë qenë edhe më të rënda se konflikti mes Bedinajt dhe Muçës në Palasë: Artur Shehu është akuzuar se u ka marrë pronarëve tokën përmes dokumenteve të falsifikuara.

Megjithatë, edhe pse Zvërneci ka mbushur titujt e mediave ndërkombëtare me togfjalëshin “Dhëndri i Trump i lidhur me tokën e një trafikanti droge në Shqipëri”, shpronësimi nuk u përdor si zgjidhje.

Për 100 ditë protestash, kjo nuk ndodhi. Në Palasë, ndërkohë, vendimi erdhi brenda më pak se 24 orësh nga konflikti i armatosur.

Pra, arsyeja e parë e shpronësimit duket se nuk është thjesht imazhi. Atëherë çfarë është? A mund të jetë një hetim i mundshëm?

Në vitin 2021, në kohën kur SPAK dhe GJKKO vendosën nën sekuestro tokën e kartelit “Bello”, nisi një tjetër kapitull për këtë pasuri. Në vitin 2022, në muajin korrik, shteti shqiptar vendosi ta shpronësonte tokën për interes publik. Destinacioni i deklaruar ishte një projekt i quajtur “Shkolla e Biçikletave”.

Por mjafton të shohësh gjendjen reale të objektit të supozuar sot për të ngritur pyetjen nëse shpronësimi kishte realisht si qëllim interesin publik apo nëse, në atë moment, ai mund të kishte shërbyer edhe për të larguar pasurinë nga një zonë e ekspozuar ndaj një hetimi të SPAK.

Ky është precedenti që duhet parë me vëmendje edhe në Palasë. Sepse shpronësimi, në vetvete, është një instrument ligjor dhe mund të përdoret për interes publik. Por nëse përdoret në një moment kur institucionet duhet të japin llogari për mënyrën se si një pasuri është regjistruar, zhvilluar dhe pajisur me leje, atëherë lind një pyetje shumë më e madhe:

A po shërben edhe në këtë rast shpronësimi si një “gomë” që fshin gjurmët e një historie pronësie dhe i jep një kartë të bardhë institucioneve që varen drejtpërdrejt nga Kryeministri?/ZËRI

Poll

MOS HUMB